Një kallëzim i dyshimtë është bërë në policinë e Durrësit nga një 37-vjeçar, sipas të cilit, dy persona që nuk i njihte, e kanë ndaluar në rrugë dhe i kanë kërkuar një shumë parash.
Sipas denoncimit të tij, bëhet fjalë për dy raste të ndodhura në muajin janar dhe shtator të këtij viti. Por policia ka dyshime se 37-vjeçari me iniciale E.M. ka kryer kallëzim të rremë.
Po kryhen hetime njëkohësisht edhe për zbardhjen e këtyre dy rasteve, dhe nga ana tjetër është vënë hetim 37-vjeçari.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për vlerësim, pasi në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Durrës, se në muajin janar 2022 dhe në muajin shtator 2022, persona të paidentifikuar e kanë ndaluar në rrugë dhe i kanë kërkuar një shumë parash, raste të cilat ky shtetas nuk i ka kallëzuar më parë në Polici. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen edhe dokumentimin e këtyre rasteve. Ndërkohë, vijojnë hetimet edhe për shtetasin E. M., pasi dyshohet se ka bërë kallzim të rremë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





