Për protestën e opozitës më 16 shkurt, do të aktivizohen rreth 1300 policë nga komisariatet e Tiranës, forcat shqiponja dhe FNSH. Rreth 900 punonjës rendi do të dislokohen pranë kryeministrisë. Vëmendje të veçantë do i kushtohet ruajtjes së institucioneve që janë pranë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Në gatishmëri do të qëndrojnë ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës.

Parapërgatitja për protestën ka nisur më herët. Rreth një javë më parë me një udhëzim të veçantë nga drejtoria e përgjithshme e policisë u është lënë detyrë komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm.

Ata do të monitorohen gjatë protestës. Kontrolle do të kryhen në akse të ndryshme të Tiranës për njerëz të dyshimtë ose për ata që ka informacion. Ndryshe nga protestat e mëparshme priten të aktivizohen më pak punonjëse policie femra.

Masa ka marrë edhe policia rrugore. Autobusët që do të vijnë me protestues nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit "Asllan Rusi" ndërsa nga ana jugore te Fakulteti Ekonomik.

Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve te bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe rrugët ndërlidhëse të tij. Kufizim të pjesshëm mund të ketë edhe rruga që lidh selinë e PD me kryeministrinë.