Monologu “Më pyesin ku je” riktheu mbrëmjen e së premtes para publikut durrsak, çiftin e artistëve Albert Dedja dhe Dardana Berdyna.
I nisur me një instalacion në shkallët e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës për t’u spostuar më pas në skenën e teatrit, monologu autobiografik trajtonte temën e eksodit dhe pikëpyetjet ekzistenciale të të gjithë atyre që kanë kapërcyer kufijtë e vendlindjes.
Çifti i artistëve nga Shijaku u ngjit për herë të parë pas 31 vitesh në skenën e teatrit, ku ata nisën karrierën e tyre artistike.
Një Dardanë këmbëzbathur që me monologun e saj ndërveproi me publikun në sallë, me pjesën e shkuar vite më parë në italisht nga bashkëshorti i saj Alberti.
“Çfarë rruge kemi përshkuar? Çfarë kemi dashur, çfarë kemi mbajtur? Cilët kemi qenë dhe cilët jemi bërë?”,- janë disa nga pyetjet që Dardana ngre në monologun e saj.
Artistët Dardana Berdyna dhe Albert Dedja janë çift në skenë edhe në jetë. Ata jetojnë edhe punojnë në Itali, ku kanë ngritur edhe kompaninë e parë teatrale shqiptare “La quarta parete”.
Kjo performancë monolog, që merr shkas nga historia e tyre personale kërkon që të provokojë një reflektim kolektiv mbi konceptin e lirisë, të lirisë në fillim të viteve ’90, kur ata u nisën si shumë shqiptarë të tjerë drejt vendit fqinjë, por të lirisë së ditëve të sotme.
Çifti Berdyna-Dedja u lindën në Shijak. Mbas diplomimit të Akademisë, Dardana si aktore e Alberti si skenograf, ata nisën punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Në intervistën e dy ditëve më parë për “DurrësLajm”, ata shprehën gëzimin e tyre për këtë rikthim në teatrin ku hodhën hapat e para të karrierës së tyre artistike, por edhe që në këtë aventurë i shoqëron djali i tyre Jaki, i cili duket se do të ndjekë gjurmët e prindërve të tij në rrugën e artit.
Monologu “Më pyesin ku je” u prit shumë mirë nga publiku durrsak, ndërkohë që artdashësit kanë mundësi të ndjekin edhe mbrëmjen e së shtunës këtë shfaqje teatrore.