Ikona e muzikës pop, Taylor Swift, ka marrë një urdhër mbrojtjeje të përkohshëm ndaj një burri 45-vjeçar nga Kolorado, i cili e ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme për afro një vit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe në mbarë botën e showbiz-it, për shkak të natyrës shqetësuese të sjelljes së përndjekësit.

Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara në Los Angeles, burri i identifikuar si Brian Jason Wagner ka ndjekur Swift-in që nga korriku i vitit 2024, duke vizituar shtëpinë e saj në Kaliforni disa herë dhe duke ngritur pretendime të rreme për një marrëdhënie mes tyre.

Në një rast, ai u shfaq me një shishe qelqi pranë pronës së këngëtares. Më tej, ai ndryshoi adresën në patentën e tij duke vendosur adresën e Swift, ndërsa u përpoq të merrte kontrollin e postës së saj personale. Gjithashtu, ka dërguar qindra email-e në adresat e stafit të saj.

Një nga pretendimet e tij më të shpeshta ishte deklarata se Taylor është “nëna e djalit të tij”, një pohim që artistja e cilësoi si tërësisht të pavërtetë dhe shenjë të një shkëputjeje nga realiteti.

Gjykata vendosi që Wagner duhet të qëndrojë të paktën 100 m larg Taylor Swift, vendbanimit të saj, vendit të punës, makinës dhe stafit të saj personal. Ky urdhër mbrojtjeje do të jetë në fuqi deri më 30 qershor, kur gjykata do të shqyrtojë nëse do të vendosë një urdhër mbrojtjeje të përhershëm.

Ky njeri përbën një kërcënim real për sigurinë time dhe të familjes sime”, – u shpreh Swift në kërkesën e saj para gjykatës.

Pas përhapjes së lajmit, mbështetësit e Swift reaguan menjëherë me shqetësim dhe solidaritet. Në rrjetet sociale u përhapën hashtagje si #ProtectTaylor dhe #StaySafeTaylor, duke kërkuar më shumë masa ligjore për të mbrojtur personazhet publikë nga përndjekje të tilla.

Stafi i këngëtares ka deklaruar se është duke punuar ngushtësisht me autoritetet për të garantuar sigurinë e saj dhe për të parandaluar çdo kontakt të mëtejshëm nga individi në fjalë.

“Taylor është e fortë, por askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar në shtëpinë e vet. Po bëjmë gjithçka për ta mbajtur atë të sigurt”, – u shpreh një përfaqësues i stafit të këngëtares.