Nga Gëzim Kabashi
Vëllezërit futbollistë Shyqyri dhe Haxhi Ballgjini janë durrsakët më të njohur të fushës së blertë. Në vitet 1970-1980 ata u bënë pjesë e ekipeve shqiptare të elitës, ndërsa mbeten të vetmit vëllezër që kanë luajtur së bashku në ekipin kombëtar. Madje kanë patur fatin të ngrenë së bashku Kupën e kampionit të Ballkanit në vitin 1978, kur Shyqyriu ishte kapiten ekipi dhe Haxhiu mesfushori i përfaqësueses së Shpresave. Më shumë se dy dekada pasi i kanë dhënë lamtumirën sportit të dashur, ata kujtojnë fragmente nga karriera futbollistike që i vendosi në majë të Olimpit shqiptar në lojrat e topit me këmbë.
Vëllezërit që kanë katër vjet diferencë me njeri tjetrin e kanë nisur dhe e kanë mbyllur karrierën sportive me “Lokomotivën” e Durrësit, qyteti ku u lindën dhe ku vazhdojnë të jetojnë . Ata kujtojnë me respekt edhe vëllezër të tjerë futbollistë si elbasanasit Gjika, Sejdini e Ibërshimi, kavajasit Xhemil dhe Dashnor Bajaziti, tiranasit Gëzdari,vlonjatët Leonidha dhe Spiro Çuri, Kokalarët në Berat, apo Xhambazët në Korçë. Po ashtu edhe ata që kanë luajtur më parë si vëllezërit Ali e Osman Mema në Tiranë.
-Ju keni qenë dy vëllezërit më të famshëm futbollistë të viteve ’70-’80 në vendin tonë. Cilët kanë qenë vëllezërit e tjerë të futbollit shqiptar të asaj periudhe?
Shyqyriu:Vëllezërit vlonjatë Leonidha dhe Spiro Çuri, mjaft të shquar, ashtu si dhe kavajasit Xhemil dhe Dashnor Bajaziti luanin në atë periudhë. Më parë kishin luajtur edhe vëllëzërit elbasanas Gjika, Sejdini e Ibërshimi.
Haxhiu:Në vitet 1970-1980 kur Shyqyriu dhe unë luanim futboll në kampionatin e kategorisë së parë luanin edhe vëllezërit Bajaziti në Kavajë apo vëllezërit Kokalari (Berti dhe Arbeni) në Berat. Luanin edhe vëllezërit Gëzdari, Edmondi dhe Dashamiri. Më parë kishin luajtur edhe vëllezërit elbasanas Ibërshimi dhe Gjika apo vëllezërit Xhambazi në Korçë.
-Në të njejtën kohë, cilët kanë qenë vëllezërit futbollistë të shquar në botë?
Shyqyriu:Nga të huajt nuk mund të harroj vëllezërit austriakë Robert dhe Jozef Sara, të cilët përveç “Austria Vienës” luajtën edhe me përfaqësuesen austriake. Robert Sarën e kam patur përballë dy herë në ndeshjet që kam luajtur me Vllazninë.
Haxhiu:Vëllezërit Rëne dhe Vili van dë Kirkof, që ishin pjesë e Kombëtares hollandeze. Po ashtu edhe vëllezërit gjemanë Foster. Me Berndt Fosterin kam patur rast të luaj në Gjermani, kur të dy ishim pjesë e skuadrave përfaqësuese respektive.
-A ishte e vështirë të luaje kundër vëllait në fushë? A i hapnit rrugë njeri tjetrit?
Shyqyriu:– Përballjet tona shkaktonin më shumë diskutime në shtëpi, ku prindët I ndiqnin ndeshjet në TV. Moma qortonte atë që godiste tjetrin, ndërsa sipas babës në fushë futeshe për të bërë detyrën, pavarsisht se përballë kishe vëllain.
Haxhiu:-Ne kemi qenë përballë njeri tjetrit disa kampionate radhazi, kur ishim pjesë përkatësisht e Partizanit dhe Dinamos. Pas vitit 1982 kemi luajtur në të njejtën skuadër, me Lokomotivën e Durrësit, aty ku e nisëm karrierën sportive. Kanë qenë shumë të pakta ndeshjet që kemi zhvilluar bashkë me skuadrën përfaqësuese. Në një nga ndeshjet Dinamo – Partizani mbaj mend zëmërimin e Shyqes për një ndërhyrje timen nga prapa, e po ashtu kujtoj se si ai e morri kthesën kur pa se kush e kishte goditur.
-Cfarë të pëlqente më shumë te vëllai e që ju nuk e kishit?
Shyqyriu:-Ne luanim në pozicione të ndryshme, por kemi kontribuar në çdo rast atje ku kishte nevojë skuadra. Kjo është arsyeja që Xhiu ka filluar të luajë si mesfushor dhe e ka mbyllur karrierën si mbrojtës I lirë, ndërsa unë fillova si mesfushor dhe u specializova në vendin e sulmuesit.
Haxhiu:-Shyqja ishte lojtar shumë potent. Në kulmin e shpejtësisë ai ndalonte dhe krosonte me shumë saktësi. Kishte një muskulaturë shumë voluminoze dhe kjo i jepte shumë fuqi.
-Me cilin ekip shqiptar bënit tifozllëk në atë kohë? Po kombëtare të huaj?
Shyqyriu:-Brazili është skuadra që admirojmë edhe tani. Familjarisht. Na pëlqen futbolli teknik, na pëlqen spektakli. Në vitet 1970-1980 zemra mbetej te “Lokomotiva”, por “Partizani”dhe “Dinamo” u bënë pjesë e natyrshme e pasionit.
Haxhiu-Ne ishim tifozë me Lokomotivën, por kur Shyqja shkoi të luante në Tiranë gjërat ndryshuan. Simpatizonim më shumë Dinamon. Kur unë shkova ushtar dhe u aktivizova me Partizanin edhe tifozllëku u nda në tre pjesë. Ndërsa për arenën ndërkombëtare nuk kemi bërë asnjë ndryshim. Gjithmonë me Brazilin. Ishte koha e Pelesë, Rivelinos, Tostaos, Gersonit, etj.
-Cili ka qenë futbollisti më i mirë për ju në Shqipëri?
Shyqyriu:-Panajot Pano padyshim. Kishte gjithçka: startin, sprintin, si dhe goditjen me këmbë dhe me kokë. Raporti mes rendimentit dhe lëvizshmërisë në rastin e tij ishte krejt I veçantë.
Haxhiu:- Futbolli ndryshon vazhdimisht, por etaloni I futbollistit te ne mbetet Panajot Pano.
-Po trajneri më i mirë me të cilin keni punuar?
Shyqyriu:-Do të veçoj trajnerët Loro Boriçi dhe Skënder Jareci. I pari ia kushtoi jetën sportit. Boriçi dinte të organizonte dhe të krijonte në fushë një ekip që përballonte kundërshtarin, siç ndodhi me Gjermaninë në 1967 kur aktivizoi mbrojtësin Ziu si sulmues. Po ashtu Skëndër Jareci, trajner mjaft inteligjent.
Haxhiu:Fjalët më të mira për trajnerin e moshave Filip Xhai, I cili më drejtoi në botën e sportit. Më pas Skënder Jareci dhe Petraq Ikonomi të Lokomotiva. Dhe së fundi Shyqyri Rreli në ndeshjet me ekipin kombëtar. Prof. Rreli kishte aftësinë të na nxirrte në fushë me kondicionin më të mirë fizik dhe moral.
-A keni pishmanllëqe nga jeta sportive?
Shyqyriu:-Po, fundin. Kur u tërhoqa nga futbolli në vitin 1987 klubi “Lokomotiva” nuk organizoi qoftë një përshëndetje. Edhe sot ndjehem keq.
Haxhiu-Futbolli më ka dhënë gjithçka. Jam shpallur kampion I vendit, kam fituar titullin Kampion I Ballkanit me Shpresat dhe kohët e fundit pas shumë titujve në shkallë kombëtare më është akorduar dekorata “Legjenda e sportit”. Por njëlloj si Shyqja edhe unë vazhdoj të ndjej dhimbje që u largova në vitin 1991 nga klubi durrsak pa marrë qoftë edhe një falenderim.
-Aktualisht ka disa vëllezër futbollistë shqiptarë të njohur në botë. A jeni dakord me idenë që ata (kur kanë nivel të lartë) duhet patjetër të luajnë me Kombëtaren e Shqipërisë?
Shyqyriu:Ata që përmenden më shumë janë vëllezërit Xhaka. Mjaft të talentuar. Lidhur me aktivizimin, kënaqësia që të jep Flamuri është e papërsëritshme, por zgjedhja personale duhet respektuar. Drejtuesit tanë duhet të bëjnë kujdes, sidomos me lojtarët kosovarë. Shumë shpejt kur Kosova të ketë të drejtën e përfaqësimit në veprimtari ndërkombëtare, më shumë se gjysma e futbollistëve do të largohen nga ekipi ynë.
-Haxhiu:-Secili ka të drejtën të vendosë vetë për të ardhmen e tij, si në çdo fushë. E njejta gjë ndodh edhe me futbollin.
-Si ju duk përzgjedhja e Topit te arte?
Shyqyriu:-Kohë më parë thuhej se futbollin e luajnë të varfërit dhe e shikojnë të pasurit. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe ndodh e kundërta, pasi futbollistët marrin paga astronomike. Unë mendoj se Mesi është lojtar i mrekullueshëm, por nuk duhen vlerësuar vetëm sulmuesit. Në këtë rast portieri gjerman Nojer ishte një kandidaturë shumë e mirë.
-Haxhiu:-Më pëlqen Ronaldo dhe vlerësoj se zgjedhja e tij për Topin e artë ishte e goditur.
-Cilat janë tre gjërat që duhen ndrequr në futbollin aktual në Shqipëri?
Shyqyriu:-Trajtimi I futbollistëve lë për të dëshëruar. Ata duhet të kenë kontrata. Të impenjohen në fushën e lojës, por edhe të jenë të mbrojtur. Kjo vlen edhe për trajnerët.
Haxhiu-Duhet të ndryshojë cilësia e kampionatit. Askush nga ekipet e Superligës nuk shkon në përfaqësuese. Po ashtu është e papranushme dhuna në stadiume. Grupet e tifozerisë duhet të marrin më shumë përgjegjësi në këtë drejtim. Mendoj se duhet të privatizohen klubet dhe të njihet buxheti i tyre vjetor. Bota ka vrapuar dhe ne mbetemi shumë prapa.
-Po gjërat që duhen përshëndetur?
-Shyqyriu:-Në kohën tonë futbollistët e kishin ëndërr të luanin një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa”. Sot ka fusha që e kanë ndërruar tapetin e blertë edhe dy apo tre herë. E njejta gjë edhe me mjediset e stërvitjes.
-Haxhiu:-Infrastruktura ka hedhur hapa përpara, por edhe ajo duhet përmirsuar.
-Falemnderit!





