13 maj 2015 – Në Olimpiadën e 32-të Ballkanike të Matematikës 4S merrnin pjesë 21 shtete ballkanike dhe europiane. Në këtë olimpiadë merrte pjesë edhe Shqipëria me një ekip prej 6 talentesh të matematikës. Olimpiada u zhvillua në Athinë nga 3-8 maj 2015 me pjesëmarrjen e 118 matematikanëve të rinj.

Ekipi shqiptar arriti të marrë 2 medalje bronzi. Durrsaku Gledis Kallço, nxënës në kolegjin “Turgut Ozal” e nderoi Durësin dhe gjithë Shqipërinë duke marrë medaljen e bronztë në këtë olimpiadë. Për Gledisin tashmë është bërë thuajse rutinë marrja e çmimeve dhe medaljeve në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare në lëmin e matematikës. Vetëm pak ditë më parë, i vëllai i vogël që ndjek klasën e pestë, Tedi Kallço, zuri vendin e parë në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës.

Në olimpiadën e zhvilluar në Athinë, Alboreno Voci nxënës në kolegjin jopublik “Mehmet Akif”, gjithashtu mori medalje bronzi.

Ekipi i talenteve të reja të matematikës shqiptare nën drejtimin e profesorëve të shquar të matematikës Adrian Naço dhe Fatos Kopliku po përgatitet intensivisht për të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, që do të zhvillohet në Tajlandë në datat 4-16 korrik 2015.

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”