Një tjetër sinjal kritik për qeverinë shqiptare vjen nga mediat ndërkombëtare. Agjencia holandeze e lajmeve ANP raporton se gjatë samitit të NATO-s në Turqi, Shqipëria nuk u përmend më si vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës.

Sipas raportimit, kjo interpretohet si një paralajmërim ndaj Tiranës, për shkak të mosrespektimit të angazhimeve për shpenzimet në mbrojtje, pasi vendi nuk kishte arritur të përmbushte objektivin minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Edhe pse Shqipëria ka bërë angazhime shtesë në momentet e fundit dhe NATO vlerëson se mund ta kalojë këtë prag gjatë vitit 2026, diplomatët cituar nga media holandeze theksojnë se mospërmendja e saj si vend pritës synon të rrisë presionin ndaj autoriteteve shqiptare për të respektuar detyrimet e Aleancës.

Udhëheqësit e vendeve të NATO-s, gjatë samitit të tyre në Turqi, nuk e përmendën më Shqipërinë si vendin pritës të samitit të ardhshëm. Kjo shihet si një paralajmërim se vendi i vogël anëtar i NATO-s nuk mund të vazhdojë të shpenzojë për mbrojtjen më pak sesa është rënë dakord, thanë diplomatët.

Shqipëria ishte caktuar vitin e kaluar në Hagë si shteti i radhës anëtar që do të mirëpriste udhëheqësit e aleancës. Por vendi ballkanik nuk e kishte respektuar vitin e kaluar marrëveshjen e mëparshme për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen, ndërkohë që vendet e NATO-s kishin rënë tashmë dakord ta rrisnin ndjeshëm këtë prag minimal.

Edhe në vitin 2026 dukej se Shqipëria nuk do ta përmbushte këtë angazhim. Megjithatë, falë angazhimeve të reja të marra në momentin e fundit, sipas NATO-s, vendi ka shumë të ngjarë që këtë vit ta kalojë pragun prej 2 për qind.

Sipas diplomatëve të lartë, Shqipëria nuk duhet të shqetësohet menjëherë. Bëhet fjalë kryesisht për rritjen e presionit ndaj saj. Për sa kohë që nuk është caktuar një vend tjetër pritës, marrëveshja e arritur në Hagë do të mbetet ende në fuqi.