TIRANE, 25 shkurt 2013– Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje vrasjes së fundit të kryekomisarit Dritan Lamaj në Tiranë. Agjencia “BalkanInsight” shkruan se Lamaj u godit me armë AK-47 sapo ishte duke parkuar automjetin e tij afër banesës. “Çështja është duke u hetuar nga prokuroria e krimeve të rënda sepse ne besojmë se motivi i kësaj ngjarjeje lidhet me punën e tij”, u shpreh Albi Serani, zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkaq, gjatë 18 viteve karrierë, Lamaj ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Deri vitin e fundit ai ishte shef i komisariatit numër 6 në Tiranë përpara se të transferohej në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

BalkanInsight shkruan se Lamaj është kryepolici i rradhës që vritet ndërsa më herët u vra në Shijak Adem Tahiri dhe pas tij edhe komisari i Matit Musa Skura. Në një prononcim për “BalkanInsight”, Sadetin Fishta, kreu i sindikatës së policisë thotë se vrasjet po krijojnë një situatë të rrezikshme për punonjësit e policisë.

TGCOM shkruan se Dritan Lamaj u vra në një ndër zonat më të populluara në kryeqytetit të Shqipërisë nga dy persona që zbritën nga një motorr dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi.