Një megaoperacion i Antimafias Italiane në bashkëpunim me Guardia di Finanza është ekzekutuar mëngjesin e sotëm mes Italisë e Spanjës.

Me urdhër të Prokurorisë së Milanos janë ekzekutuar 58 urdhër ndalime, 46 nën urdhër arrestimi, 33 në burg, 13 në arrest shtëpiak e 12 të shënuar në regjistrin e personave nën hetim.

Urdhër ndalimet janë kryer në territoret e provincës së Milano, Bergamo, Brescia, Monza, Varese, Mantova, Torino, Alessandria, Asti, Prato, Roma, Teramo, Catania, Salerno e në Spanjë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, riciklimit të parave të ardhura nga trafiku i drogës e mashtrim fiskal.

Grupi i narkotrafikantëve përbëhet nga shtetas italianë, spanjollë, shqiptarë e kinezë.

Hetimet kanë dokumentuar trafikun e rreth 30 tonë marijuanë e hashash me vlerë fitimi rreth 42 milionë euro e një xhiro parash cash prej 26 milionë euro brenda një viti.

Hetimet zbardhën gjithashtu mekanizmin e mënyrës që ky grup narkotrafikant përdorte për të ricikluar paratë e përfituara nga biznesi i drogës.

Transferimi i parave e riciklimi i tyre në Spanjë kryhej përmes sistemeve bankare ilegale të menaxhuara nga shtetas kinezë që përdoreshin si qendra grumbullimi parash e që dërgoheshin në mënyrë të shpejtë, anonime, të pagjurmueshme e përmes një mekanizmi informal. Pronarët kinezë të aktiviteteve tregtare në Spanjë merrnin paratë përmes një interesi 1.5-2%  për çdo transfertë.

Për të individualizuar e pranuar shumën e parave që transferohej nga Italia e që vinte nga trafiku i drogës përdorej një kod njohje i bazuar në numrin serial të kartëmonedhës në prerjen më të vogël që dërgohej nga korrieri. Koincidenca mes numrit të serisë e numrit të komunikuar nga pika e referimit në Itali dokumentonte kryerjen e transfertës.