Një 70-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se është autor i dy zjarrvënieve të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit në zonat e Lundrës dhe Shkozës.
Në pranga është vënë shtetasi me inicialet S. A., i cili, sipas policisë, dyshohet se më 9 gusht ka ndezur zjarr pranë magazinave të Bashkisë së Tiranës, në fshatin Lundër. Një ditë më herët, më 8 gusht, ai dyshohet se ka ndezur zjarr në disa shkurre pranë një kabine elektrike në Shkozë.
Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme të shumta në sipërfaqet e tokave përreth, ndërsa zjarrfikësit kanë ndërhyrë për neutralizimin e vatrave.
Policia bën me dije se, pas njoftimeve për zjarrvëniet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë kryer veprime hetimore dhe operacionale, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit brenda 48 orëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit ka përsëritur apelin për qytetarët që të mos ndezin zjarre, duke paralajmëruar se çdo person që shkel ligjin do të përballet me përgjegjësi penale. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112.





