Indekset e klimës së biznesit treguan se më 2021-shin, mungesa e punonjësve është kthyer në shqetësimin kryesor, por ndërkohë veprimet dhe masat e bizneseve për përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore nuk po ndihmojnë stimulimin e burimeve njerëzore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se i gjithë sektori biznesit dha vetëm 2,2 miliardë lekë (19 milionë euro) shpërblime për punonjësit ne vitin 2021, me rënie vjetore 19.5 %. Shpenzimet për shpërblimet e punonjësve ishin më të ulëtat që nga viti 2010 kur datojnë të dhënat e INSTAT.

Prej reduktimit të numrit të popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigrimit të lartë të të rinjve, vendi është futur në emergjencë për punonjës në të gjithë sektorët, ndërsa ekspertet e burimeve njerëzore dhe ato të makroekonomisë besojnë se një nga mjetet më efikase është rritja e pagave, shpërblimet dhe trajnimet për punonjësit.

Në këto 20 vitet e fundit, ekonomia shqiptare është orientuar në sektorë me produktivitet të ulët. Por sërish produktiviteti kishte hapësira për rritje më të lartë të pagave, tha eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Ekonomia shqiptare funksionon ende në bazë të një modeli që shfrytëzon krahun e lirë të punës, por teksa lënda e parë (njerëzit) po shterojnë, bizneset shqiptare i llogarisin punonjësit si kosto, në vend që të forcojnë menaxhimin e burimeve njerëzore dhe të rrisin produktivitetin nëpërmjet tyre.

Ekspertët e burimeve njerëzore pohojnë se punonjësit sot kërkojnë një vetërealizim, i cili shpesh nuk përmbushet në vendin tonë. Tregu i pagave vitet e fundit ka mbetur në vendnumëro edhe për shkak të strukturës së ekonomisë. Nga ana tjetër, mendësia dhe mënyra e menaxhimit të të bërit biznes, ka mbetur si një lloj tregtie merr e jep, dhe jo si një mënyrë investimi i qëndrueshëm. Bizneset pothuajse nuk investojnë fare te burimet njerëzore dhe nuk përdorin instrumente stimulues i bonuse, shpërblime dhe trajnime për të rritur profesionalizimin.

Të dhënat e fundit treguan se bizneset shpenzojnë në trajnime vetëm disa qindarka, nga ana tjetër, kategori punonjësish që nuk e gjetën vendin në tregun shqiptar të punës janë shumë të suksesshëm jashtë vendit.

Nj anketë e INSTAT” gjeti në se në vitin 2020, pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend kishin ulur në mënyrë drastike fondet për trajtimin profesional të punonjësve, nga 19-90% në varësi të aktiviteteve ekonomike në krahasim me vitin 2016.

P.sh., në vitin 2016, kostot vjetore të trajnimit profesional për punonjës arrinin nga mbi 3 mijë lekë në vit për aktivitetet e industrisë dhe shërbimeve deri në 7 mijë lekë në vit për aktivitetet financiare dhe sigurimit, ndërsa në vitin 2020 kostot e trajtimit profesional për punonjës variojnë minimumi 691 lekë për arsimin e shëndetësinë në maksimumi 1,800 lekë për tregtinë dhe transportin. /Monitor

Burimi: INSTAT