Të ndjekësh nga afër një ndeshje të Kupës së Botës ka qenë gjithmonë një eksperiencë ekskluzive për tifozët, por në Botërorin 2026, çmimet e biletave po arrijnë nivele rekord, veçanërisht për ata që duan të mbështesin kombëtaren e Meksikës.
Vendi organizator, që do të presë për herë të tretë në histori turneun më prestigjioz të futbollit pas edicioneve të vitit 1970 dhe 1986, po përjeton një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët vendas dhe të huaj.
Kjo kërkesë e lartë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të biletave, duke e bërë Meksikën skuadrën më të kushtueshme për t’u ndjekur gjatë fazës së grupeve.
Sipas mediave, kombëtarja meksikane është skuadra më e shtrenjtë për t’u ndjekur gjatë fazës së grupeve të Botërorit 2026. Çmimi mesatar i biletave për tre ndeshjet e grupit arrin në rreth 1.620 euro.
Në vendin e dytë renditet Portugalia me një mesatare prej afro 1.220 eurosh, ndërsa Kolumbia pozicionohet e treta me rreth 1.140 euro.
Ekspertët shpjegojnë se çmimet e larta për Portugalinë lidhen edhe me pritshmëritë për atë që mund të jetë pjesëmarrja e fundit e Cristiano Ronaldos në një Kupë Bote.
Ndërkohë, përballja mes Portugalisë dhe Kolumbisë, dy skuadra të Grupit K që do të ndeshen më 28 qershor, konsiderohet si një nga sfidat më tërheqëse të fazës së grupeve.
Këto shifra tregojnë se Botërori 2026 nuk do të jetë vetëm një festë globale e futbollit, por edhe një sfidë financiare për tifozët që dëshirojnë të përjetojnë emocionet e turneut nga stadiumi.
Kupa e Botes 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.





