FOTO-REPORTAZH NGA I DËRGUARI YNË SHEFQET KËRCELLI

PITSBURG (SHBA), 27 maj 2015 – Paraditen e 25 majit 2015, qindra qytetarë të Pitsburgut (Pittsburgh) dhe qendrave të tjera të shtetit amerikan të Pensilvanisë mbushën lulishtet dhe mjediset e brendshme të “Soldiers&Sailors Memorial Hall&Museum” në qendër të qytetit, për të festuar Ditën e Kujtesës (“Memorial Day Celebration”).

PENSILVANIA

Ceremonia e Memorial Day në shtetin e Pensilvanisë zhvillohet çdo vit në Muzeun e Ushtarëve dhe Marinarëve të Pitsburgut, një nga muzetë më të mëdha të këtij lloji në SHBA. I ngritur një shekull më parë, përmban një pasuri të madhe historike, jo vetëm në sferën ushtarake, por dhe më gjerë. Në eksponatet e tij pasqyrohet historia e krijimit të qytetit dhe rajonit e gërshetuar kjo me luftërat e zhvilluara në SHBA, brenda dhe jashtë vendit. Bazuar në konceptin kohor të zhvillimit të ngjarjeve vijnë me radhë ushtarakët e çdo rangu, çdo shtresë apo gjinie, pjesëmarrës  në betejat dhe luftërat e zhvilluara. Natyrisht, përmbajtja e muzeut ka kolonë kryesore konceptin e lirisë dhe demokracisë, për të cilën amerikanët kanë luftuar më shumë se kushdo. Në muze zënë vend të gjithë burrat dhe gratë e Pensilvanisë që pavarësisht gjinisë, racës, moshës, origjinës kanë luftuar për liri dhe paqe. Është një muze i kompletuar dhe mbresëlënës, i cili çdo ditë vizitohet nga dhjetëra vizitorë.

EDHE SHQIPTARËT

Një kompleks muzeor, do ta quaja, i konceptuar dhe realizuar bukur në formë dhe përmbajtje, që nga godina e stilit klasik. Kam shkruar gjatë për këtë muze vitin e kaluar dhe s’dua përsëris, por ajo që dua të evidentoj është një fakt i rëndësishëm për opinionin shqiptar. Kam dy vite që bashkëpunoj me drejtuesit e këtij muzeu për ngritjen e një këndi të veçantë të bashkëpunimit ushtarak SHBA-Shqipëri, ide, të cilën po e konkretizojmë gradualisht bashkë me Michal Kraus-in, restaurues në këtë muze. Madje zoti Michael ka filluar të ndjehet shqiptar dhe mirëpret çdo shqiptaro-amerikan si vizitor të këtij muzeu. Kështu në arkivin e tij mund të gjeni disa nga momentet kryesore të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve si ndihma e Departamentit të Shtetit e Pentagonit për ushtrinë shqiptare gjatë këtyre dy dekadave, programet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, sidomos në fushën e arsimimit të ushtarakëve shqiptarë, stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta, vizitat e anijeve të SHBA në portet tona deri tek operacionet paqeruajtëse dhe ato kundër terrorizmit. Sigurisht që vend kryesor kanë ushtarakët shqiptarë të rënë në fushën e betejës si Heroi Kapiten Feti Vogli, që u vra duke luftuar krah për krah me ushtarakët amerikanë në Kandahar, por dhe djem shqiptaro-amerikanë në përbërje të ushtrisë së SHBA, të vlerësuar me medalje të ndryshme nga autoritet e SHBA. Për merak të lexuesve në këto material të thjeshta nuk ka asnjë ngjyrim politik, dhe këtë punë e kam bërë thjesht vullnetarisht, si ish-ushtarak e dëshmitar i këtij bashkëpunimi mbas viteve 1990. Bazë në njohjen dhe pasqyrimin e tyre janë kryesisht materiale të pasqyruara në shtypin ushtarak shqiptar. Në këtë kuptim shqiptaro-amerikanët kudo që jetojnë në SHBA, mund të marrin pjesë denjësisht në ceremonitë e Memorial Day.  Bazuar në këto ndjesi, më 25 maj 2015, u bëra pjesë e aktiviteteve të larmishme të zhvilluara në këtë ditë të shënuar, ku u përfshinë qindra qytetarë pitsburgas të të gjitha moshave. Kishte dhe ish-ushtarakë, tani veteranë që kishin qenë në Shqipëri dhe Kosovë. Fillimisht në orën 11.00, u zhvillua një ceremoni e veçantë për ushtarakët e Pensilvanisë të rënë në luftën kundër terrorizmit. Presidenti i shoqatës së veteranëve dhe shef ekzekutiv i saj John F. McCabe u uroi mirëseardhjen qytetarëve të shumtë me ose pa uniformë dhe vlerësoi kontributin e qytetarëve të Pensilvanisë në këtë luftë të madhe, veçanërisht veprën heroike të dhjetëra  ushtarakëve që dhanë jetën për këtë kauzë të shenjtë. Por për mua ishte befasi, kur gjatë fjalimit zoti John theksoi se në këtë luftë të madhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me shtetin e popullin shqiptar (e kam video). U ndjeva krenar për këtë, pasi në sallë ishin qindra qytetarë të Pitsburgut, mjaft prej të cilëve pak ose aspak dinë për vendin tonë.

CEREMONIA

Më pas nën drejtimin e kapelanit Ira Houck, përfaqësues i kishës “Mirësia Anglikane”, u zhvillua ceremonia e bekimit të të rënëve në beteja. Ishte mallëngjyes e prekës dokumentari që paraqiste të gjithë luftëtarët e Pensilvanisë në operacionet kundër terrorizmit, nën tingujt e simfonive të përzgjedhura për bijtë dhe bijat e këtij shteti. E pra, kujtohej, nderohej dhe respektohej çdo ushtar, nënoficer e oficer për përkushtimin dhe gjakun e derdhur në emër të lirisë. Ndërkohë familjarët e këtyre ushtarakëve e shihnin me sytë e tyre vlerësimin e shtetit amerikan, se nuk humbiste gjë nga djersa dhe gjaku i derdhur për paqe dhe siguri nga bijtë e tyre. Pas kësaj ceremonie prekëse për të gjithë, vizitorët e shumtë iu drejtuan mjediseve të muzeut, për t’u njohur me përmbajtjen e tij. Duhen ditë që ta vizitosh atë, por dhe për 6 orë mund të krijosh përshtypje për vlerat që mbart ky muze. Ai pasurohet çdo ditë me materiale, dokumente e fakte, të dhuruara nga qytetarë e familjarë të ushtarakëve të Pitsburgut. Në ditë të zakonshme atje punon një staf prej 15 vetash, ku përfshihen specialistë e ish-ushtarakë, njohës të periudhave të ndryshme historike, por në raste ceremonish ka me dhjetëra vullnetarë që ndihmojnë për çdo punë e shërbim që duhet në këto raste. Kështu duke vizituar këndet e muzeut pashë që dikush shpjegonte me pasion pjesë nga muzeu. E ndoqa për gati 1 orë shpjegimin e tij dhe më pas e pyeta, kush ishte. “Jam Ed Rak, – më tha me dashamirësi, – kam qenë pilot dhe tani në pension”. Nuk ka ciceron më të mirë se një ish-ushtarak për këta muze, thashë me vete. Pjesë e këtij grupi vullnetarësh ishin dhe të rinjtë, kështu djaloshi Avery Kaminski, student i historisë, orientonte shikuesit e shumtë në ambientet e muzeut. Aktivitetet kulturore-historike-zbavitëse pasonin njëri-tjetrin. Ndërsa një pjesë njihej me muzeun, të tjerët ndiqnin një koncert me fyell dhe daulle nga grupi i regjimentit të 6-të të ushtarëve dhe marinarëve të cilët performuan disa pjesë karakteristike që shoqërojnë ushtarët para se të shkojnë në betejë. Duke ndjekur këtë koncert sa folklorik, aq dhe patriotik e ushtarak, shfrytëzova disa minuta për të njohur grupin e televizionit kryesor të qytetit të Pitsburgut KDKA me momentet kryesore të bashkëpunimit SHBA-Shqipëri dhe prezantova vizitat e anijeve amerikane në portet e Durrësit e Vlorës.

LARMIA

Ndërkohë fëmijët zinin një vend të veçantë në këtë ditë, ndaj nga ora 14.00 deri më 15.00, ata zhvilluan ushtrime të ndryshme rreshtore-ushtarake e sportive, me veshje e piktura të ndryshme në fytyrë dhe temë atdhedashurinë, nën drejtimin e kuratorit të muzeut Michael Kraus, ku për më të shkathëtin kishte një zarf të mirë me dollarë. U zhvilluan ushtrime për shpejtësinë në ngrënien e bukës së misrit e ushqime të tjera që përdorin ushtarët në beteja. Kuptohet që për fituesin e çdo gare kishte stimul material. Ky aktivitet madhështor nuk kishte ngelur jashtë vëmendjes së qendrës së rekrutimit ushtarak të Pensilvanisë, e cila ishte e pranishme me një eksponat të veçantë, jo pa rezultat, pasi pashë me sytë e mi, të paktën 6 të rinj, që u regjistruan në ushtrinë e SHBA. Pasdite një nga grupet më të mira muzikore të Pitsburgut, “Brassroots”, dha një koncert falas për të gjithë pjesëmarrësit dhe familjet e të rënëve. Veç pjesëve orkestrale në nderim të të rënëve u ekzekutuan me mjeshtëri himni i SHBA, marshet ushtarake të Marinsave, Forcave Ajrore, Flotës Ushtarake, Rojës Bregdetare, Gardës Kombëtare, etj. Çdo gjë ishte e përsosur dhe e organizuar mirë, ku dhe qytetarët e thjeshtë të dukeshin si profesionistë, gërshetohej tradita, puna, kultura, aftësitë, mosha. Hedhja e lotarive ishte një moment tjetër tërheqës i festimeve të kësaj dite. Dhjetëra veteranë e familje ushtarakësh fituan vizita turistike falas në vende e hotele të ndryshme të SHBA. Ishte një ditë ku njerëzit respektonin në heshtje të rënët, por e ngarkuar dhe me emocionet e programit që u zbatua ashtu thjesht, natyrshëm dhe pa shou artificial, ashtu si dinë t’i bëjnë amerikanët këto punë.

BIZNESET DHE SHTETI BASHKË

Festimin e kësaj dite e sponsorizonin mjaft firma të Pitsburgut ku spikaste restoranti “Shtëpia e peshkatarit e Pitsburgut”. Ishte vërtet mbresëlënës kontributi i biznesmenëve për të nderuar të rënët por dhe veteranët që ishin gjallë. Njerëzit në tavolinat e mbushur plot ndiqnin aktivitetet, bisedonin për operacionet e betejat e zhvilluara, secili kishte shumë për të treguar, flisnin direkt me ushtarët e marinarët nga Pitsburgu kudo që ndodhen ata, dërgon pako të ndryshme, etj. Hapësira e gjelbër përreth muzeut, një sipërfaqe prej disa akrash tokë, u krijonte mundësinë pjesëmarrësve të qëndronin me miq e fëmijë pa shtrënguar kënd. Krahas ndihmës së bizneseve dhe disa universitete të Pitsburgut ofronin bursa për fëmijët e të rënëve dhe veteranëve, ndërsa për këtë ditë vunë në dispozicion disa konvikte për veteranët e ardhur nga rrethinat e Pitsburgut. Pra, në këtë ditë krahas pjesëmarrjes masive, për zhvillimin sa më normal të saj, u angazhuan e kujdesën të gjithë, jo vetëm Departamenti i çështjeve të ushtarakëve dhe veteranëve të Pensilvanisë dhe shoqatat e veteranëve apo ushtarakëve, që e kanë për detyrë. Gjithashtu shteti i Pensilvanisë në një eksponat të veçantë prezantoi një program për mundësitë e punësimit dhe edukimit të ish-ushtarakëve dhe veteranëve, të cilat ishin të shumta, sidomos industria e Pensilvanisë Jugperëndimore kërkonte punonjës të kualifikuar. Shteti ofronte punë sipas zanatit që dëshironte, por dhe të kualifikon falas për këtë.

Aktivitetet vazhduan deri vonë. Këto bënë që dita e kujtimit të të rënëve të merrte kuptimin e saj të plotë, respekt dhe nderim për të gjithë ata që bënë aktin sublim, duke dhënë jetën për liri. Këtë e theksoi dhe presidenti Obama, i cili gjatë vizitës në memorialin e të rënëve në Uashington më 25 maj 2015 tha:

“Këta qytetarë amerikanë dhanë gjithçka kishin, as për lavdi, as për mirënjohje, por për diçka më të madhe që tejkalon veten e tyre”.

ÇFARË MUND TË MËSOJMË

Duke ndjekur me detaje programin e Memorial Day theksoj se, nga kjo mënyrë e të përkujtuarit të të rënëve për gjestin e tyre fisnik, kemi çfarë të mësojmë dhe ne, si këtu në Amerikë ashtu dhe në Shqipëri. Për shembull, në organizimin e festave tona ne mund të fusim mjaft pjesë nga programi që zbatojnë amerikanët, sidomos ato për atdhedashurinë. Nga mënyra se si janë konceptuar, organizuar e menaxhohen muzetë në SHBA mund të përfitojnë të gjithë specialistët, muzeologët dhe punonjësit e këtij sektori në Shqipëri, të cilët për fat i kemi me shumicë. Mendoj se shqiptaro-amerikanët kanë të drejtën morale dhe janë të pranueshëm për çdo festë tradicionale të SHBA, përfshi Memorial Day, anasjelltas ata duhet të ftojnë dhe amerikanët në organizmin e festave tona kombëtare, se miqësia forcohet e zhvillohet në këto aktivitete e jo thjesht nëpër takime zyrtare. Ka ardhur momenti që të krijohet shoqata e ushtarakëve shqiptaro-amerikanë në SHBA, varet kush e merr iniciativën, pasi vetëm në Nju Jork janë mbi 200 familje ish-ushtarakësh shqiptarë. Është e domosdoshme që në Shqipëri të caktohet një ditë e mirëfilltë e veteranëve, që të festohet thjesht e pa tamtame, siç i bëjmë ne, kjo nuk e zëvendëson 5 majin, por zbut debatet pa fund të datave 28-29 nëntor. Ndërsa në ushtrinë shqiptare duhet të caktohet, dita e paqeruajtësve shqiptarë, ku të evidentohet vlerat dhe kontributi i djemve tanë, pjesëmarrës në misione, me të cilët po mburremi të gjithë, ata që ia kanë bërë bam në beteja këto 20 vite, e cila gradualisht mund të kthehet dhe në festë kombëtare. Kështu sfumohet dhe roli i të paaftëve, parazitëve e militantëve që gëlojnë me shumicë në ushtrinë shqiptare.  Këto dhe të tjera do t’i shërbejnë më së miri forcimit të miqësisë midis dy popujve tanë, se tashmë populli shqiptar e ka kuptuar që ne kemi vetëm një partner strategjik, kjo është SHBA, se ndryshe na ha ariu, ujku, dhelpra e çakalli.  Politikanët e pushtetarët tanë duhet ta dinë se të tjerët janë thjesht partnerë e aleatë.

Info

Dita e Kujtimit të të Rënëve, është një ditë e veçantë në SHBA, sepse kujtohen e respektohen të gjithë meshkujt dhe femrat me uniformë që kanë dhënë jetën në beteja. Kjo ditë e ka origjinën që nga Lufta Civile në SHBA, për të nderuar ushtarakët që vdiqën në luftë nga të dy palët luftuese. Fillimisht ajo njihej si dita e dekorimeve, por në shekullin e XX, koncepti i saj u zgjerua duke iu përkushtuar kryesisht të rënëve dhe veteranëve të luftës. Nga fillimi i shekullit XX ajo festohet të hënën e fundit të majit dhe është ditë pushimi në të gjithë shtetet e SHBA.

Në ditën e kujtimit të të rënëve, veteranë të luftës, ushtarakë aktivë e në pension bashkë me familjet, si dhe qytetarë te shumte vizitojnë varret e të rënëve, memorialët e tyre, vendosin flamuj të SHBA e buqeta me lule në çdo var, vizitojnë muzetë e ushtrisë dhe qytetit.

 

 

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/