Djali që të gjithë e njohim si një prej menaxherëve të zotë, të një prej hoteleve më në zë në Durrës, Leonard Kadrimi, ka marrë drejtimin e zyrës së Mjedisit në Durrës. Në një lidhje telefonike për “DurrësLajm”, Kadrimi tha se prezantimi i tij nuk është bërë ende, për shkak se Kontjana Kuçi e cila ka mbajtur këtë post prej katër vitesh, ka kërkuar një javë afat për të bërë dorëzimet.

Kadrimi tha se miratimi i tij de Jure është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe pritet prezantimi i tij gjatë javës së ardhshme në këtë detyrë.

Kontjana Kuçi që mbajti detyrën e shefes së Mjedisit në Durrës përfaqësoi LSI-në, ndërsa largimi i saj nga ky post është bërë në kuadër të ndërrimit të të gjithë drejtorëve të LSI-së nga postet që kanë mbajtur.

(Foto: Kontjana Kuçi)

Image may contain: 1 person

Kadrimi tha se edhe pas emërimit në këtë detyrë, do të vijojë të mbajë detyrën e pedagogut në universitet, dhe të drejtorit të menaxhimit në hotelin “Palace” ku ka punuar për disa vjet.

Çështjet mjedisore në Durrës janë ende më të nxehtat për qytetin bregdetar.

Ditët e fundit bregdeti është tejmbushur me mbetje urbane të cilat i kanë shkarkuar lumenjtë në det (lexo këtu). Kjo është një prej sfidave me të cilat pritet të përballet drejtori i ri. 

K.H.