TIRANE, 13 prill 2013 – Rigels Jaku, i njohur si Noizy, dhe këngëtarja Eni Koçi duket se kanë mbyllur bashkëpunimin e tyre. Një e-mail privat që nëna e Enit, Afërdita, i ka dërguar Noizy-t në postën e tij elektronike, ka zbardhur këtë prishje bashkëpunimi mes tyre.

Noizy e ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook e mail-in ku nëna e Enit, që është njëkohësisht menaxherja e saj, i ka dërguar në lidhje me heqjen nga Youtube të dy këngëve në duet të Noizy-t me Enin.

Fjala është për klipet “Je gjithçka” dhe “So Hot”, që janë fshirë nga Youtube dhe për këtë fakt është akuzuar Noizy. Në e mail-in që Afërdita i shkruan reperit, thuhet se klipet janë të Enit, ndërsa Noizy ka qenë i ftuari i saj, ndaj për këtë arsye nuk ka asnjë të drejtë autoriale mbi ato dy klipe.

Në të ardhmen ndoshta dhe mund të ketë një pajtim mes tyre, ndërkohë që vitet e fundit ata kanë shkëmbyer ide dhe kanë qenë miq e aleatë të mirë në muzikë.