Mësueset kurajoze që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur fëmijët e vegjël, ndërsa Adam Lanza hapi zjarr në shkollën fillore Sandy Hook.

Autoritetet kanë identifikuar tre mësuese mes 27 viktimave të ditës së djeshme; Dawn Hochsprung, 47 vjeçe, drejtoreshë e shkollës, psikologen Mary Sherlach, 57 vjeçe, dhe 27 vjeçaren Victoria Soto.

Raportimet e mediave amerikane bëjnë të ditur se tre gratë mbuluan të vegjlit me trupat e tyre për t’i mbrojtur nga plumbat.

“Stafi pedagogjik i shkollës ishte në mbledhje,- bën të ditur mësuesja Diane Day për Wall Street Journal,-  para se të nisnin të shtënat. Ndërsa disa prej mësuesve u fshehën poshtë tavolinave, drejtoresha dhe psikologia vrapuan drejt vrasësit. Ato nuk e menduan dy herë, por shkuan të shihnin ç’po ndodhte”.

Ndërkohë, një kushëri i Victoria Soto, Jim Wiltsie thotë se ajo u tregua shumë trime dhe vendosi trupin e saj para armës së vrasësit për të mbrojtur fëmijët. Fatkeqësisht u qëllua dhe humbi jetën.

“Jam krenar që Vicki instiktivisht reagoi për të mbrojtur fëmijët. Ne ndihemi në paqe që ajo mbrojti fëmijët. Në sytë tanë Vicki është heroinë”,- thotë Wiltsie.

Në tragjedinë e së premtes, humbën jetën 27 viktima, 20 prej të cilëve fëmijë të vegjël të shkollës fillore.