MIRDITE – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takim me strukturat e kësaj force politikë në Mirditë, ka kritikuar dy partitë kryesore për sjelljen e tyre. Ai tha se politika ka mbetur në vend numëro duke mos iu përgjigjur qytetarit.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Meta u shpreh se qytetarët do të vlerësojnë rolin konstruktiv të LSI-së dhe rolin për stabilitetin politik të vendit. “Natyrisht që ne nuk i ndryshojmë dot të tjerët, por ne kemi për detyrë të sillemi ndryshe nga ata që dëshirojnë të bëjnë protagonizëm përmes konfliktit”,- tha kreu i LSI-së.
“Është e vërtetë se LSI është në qeverisje, por nuk është aq sa duhet në qarkun e Lezhës, po kështu edhe këtu në Mirditë, edhe për një arsye të caktuar, për arsye që kanë të bëjnë me faktin që ne nuk kemi përfaqësimin tonë në Parlamentin e vendit në këtë qark, gjë që unë jam i sigurt se do ta keni pa asnjë diskutim më 23 qershor të vitit të ardhshëm, nuk duam një mandat për një njeri. Por, duam që të dëgjohet zëri juaj”, ka shtuar Meta.