Meta është përballur me një sërë humbjesh në gjykata lidhur me mënyrën se si platformat e saj kanë synuar dhe dëmtuar përdoruesit e rinj, por një gjyq me juri mund të përbëjë kërcënimin më të madh deri tani për mënyrën se si operon kompania bën të ditur BBC.

Gjyqi rrjedh nga një padi e ngritur në vitin 2023 nga 30 shtete amerikane, mes tyre Kalifornia dhe Nju Jorku, të cilat pretendojnë se Meta ka kryer shkelje të shumta të ligjeve federale dhe shtetërore për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve dhe për dëmtimin e përdoruesve të rinj.

Shtetet kërkojnë mbi 1 trilion dollarë dëmshpërblim dhe ndryshime të rëndësishme në Instagram dhe Facebook. Mes tyre janë verifikimi i prindërve për përdoruesit adoleshentë, ndryshimi i algoritmeve të rekomandimeve, heqja e disa filtrave të fytyrës, ndalimi i luajtjes automatike të videove dhe kufizimi i llogarive të shumta.

Kërkohet gjithashtu heqja e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën 18 vjeç dhe kufizimi i njoftimeve që synojnë t’i rikthejnë vazhdimisht të rinjtë në aplikacione.

Shtetet argumentojnë se Meta ka përdorur këto mekanizma për t’i mbajtur fëmijët dhe adoleshentët sa më gjatë në platformat e saj, duke përfituar nga angazhimi i tyre dhe duke rritur biznesin.

Meta i mohon akuzat dhe thotë se provat do të tregojnë përkushtimin e saj ndaj mbështetjes së të rinjve.

Çështja merr rëndësi edhe për shkak të një vendimi të fundit në Nju Meksiko, ku Meta u gjobit me 942 milionë dollarë dhe u urdhërua të kufizojë disa funksione të Instagramit dhe Facebook-ut për të miturit. Gjyqtari e cilësoi kompaninë si “shqetësim publik”, duke e lidhur mënyrën e funksionimit të platformave me krizën e shëndetit mendor te të rinjtë.

Një nga çështjet kryesore janë pëlqimet. Sipas kërkimeve të vetë Metës, krahasimi social i nxitur nga numri i pëlqimeve lidhet me rritjen e ndjenjës së vetmisë, përkeqësimin e imazhit trupor dhe gjendjen negative emocionale.

Nëse 30 shtetet fitojnë çështjen, Meta mund të detyrohet të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë Instagrami dhe Facebook-u për të rinjtë në të gjithë SHBA-në. Para gjyqtares federale Yvonne Gonzalez Rogers, çështja mund të përcaktojë nëse platformat do të duhet të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si i angazhojnë përdoruesit e mitur.