Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e Policisë, Ardit Hasanbegaj, në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Për Pëllumb Gjokën, gjykata vendosi deklarimin fajtor për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Kleanthi Musabellit, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsion aktiv i funksionarëve të sistemit të drejtësisë”.
Për këto akuza, Gjoka u dënua me 9 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 6 vite burgim në një institucion të sigurisë së lartë.
Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sa i takon Ardit Hasanbegajt, GJKKO e shpalli fajtor për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”.
Gjykata e dënoi Hasanbegajn me 7 vite e 6 muaj burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 5 vite burgim. Gjithashtu, ndaj tij u vendos masa plotësuese e heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Pëllumb Gjoka po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor, ku akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit.





