Forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse në Bahmut në 24 orët e fundit, kështu ka deklaruar Kievi zyrtarisht ditën e sotme. Beteja për këtë qytet të shkatërruar ukrainas, që gjendet në rajonin lindor të Donjetskut po vazhdon.

Në Bruksel, ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së mblidhen sot për të diskutuar planet për t’i ofruar municion Ukrainës në vlerë prej 2 miliardë eurosh në bazë të planit që përfshin blerjen e përbashkët të municionit nga blloku evropian.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pritet t’i adresohet këtij takimi përmes video-lidhjes nga Kievi. Ai pritet t’i informojë homologët e tij evropianë lidhur me situatën aktuale në fushëbetejë.

Nderkohe ministrat e Jashtëm të bllokut po ashtu pritet të flasin për përgjegjësinë e Moskës për dëbimin me forcë të fëmijëve ukrainas për në Rusi, por edhe për masat për të lehtësuar eksportet ukrainase.

Forcat ruse kanë kryer 69 sulme në ditën paraprake në Bahmut dhe në vendbanimet afër, tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase.

Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë vendbanimet civile në rajonet e Donjetskut dhe Zaporizhjës, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën. 

Në pjesët e pushtuara nga Moska në rajonin jugor të Hersonit, ushtarët rusë që gjenden në pika të kontrollit po detyrojnë civilët që të pajisen me pasaporta ruse, duke i kërcënuar ata me dhunë dhe burgim, u tha në njoftimin e ushtrisë ukrainase.