Bashkimi Evropian mbetet i ndarë lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit, pavarësisht kritikave nga disa shtete anëtare për situatën në Gaza dhe dhunën ndaj palestinezëve nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se propozimet për një pezullim të pjesshëm të marrëveshjes së asociimit BE–Izrael mbeten në tryezë, por kërkojnë ndryshim qëndrimesh nga shtetet anëtare për të hyrë në fuqi.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së që u mbajt të martën, ajo deklaroi se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në këtë takim, megjithatë “diskutimet do të vazhdojnë.”
Kallas hodhi poshtë kritikat se qasja e BE-së ndaj Izraelit tregon standard të dyfishtë dhe shprehu dyshime për efektin e sanksioneve.
“Një pezullim i marrëveshjes së asociimit, a do ta ndalojë zgjerimin e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor? Kjo ndoshta nuk është e vërtetë,” tha ajo, citon The Guardian.
Ndërkohë, ajo njoftoi se BE-ja do të shtojë kufizimet ndaj Iranit, duke miratuar sanksione të reja ndaj personave të përfshirë në kufizimin e lundrimit të lirë në ngushticën e Hormuzit, me synim miratimin e tyre në maj.
Gjatë takimit, Irlanda, Spanja dhe Sllovenia i kërkuan Kallas-it të rihapë çështjen e pezullimit të pjesshëm të marrëveshjes me Izraelin, një propozim i bërë vjeshtën e kaluar, por që nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi: “Sa kohë që Izraeli vazhdon në këtë rrugë të një lufte të përhershme, ne nuk mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet në të njëjtën mënyrë.” Ndërsa kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, bëri thirrje që BE-ja t’i japë fund marrëveshjes me Izraelin.
Edhe ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, theksoi nevojën për sanksione, duke përmendur rritjen e paprecedent të dhunës nga kolonët dhe zhvillime të tjera shqetësuese.
Nga ana tjetër, Gjermania e kundërshtoi propozimin. Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, u shpreh se dialogu kritik dhe konstruktiv me Izraelin është rruga e duhur.
Për të anuluar plotësisht marrëveshjen kërkohet unanimiteti i të 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa një pezullim i pjesshëm kërkon shumicë të cilësuar.
Organizata Amnesty International e kritikoi BE-në për “dështim moral”, duke akuzuar bllokun se po dëmton besueshmërinë e tij si mbrojtës i të drejtave të njeriut. Mbi 70 organizata dhe më shumë se 1 milion qytetarë kanë bërë thirrje për pezullimin e marrëveshjes.
Në një tjetër zhvillim, Franca dhe Suedia kërkuan shqyrtimin urgjent të vendosjes së tarifave ndaj produkteve nga vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, theksoi se një nga problemet kryesore për Autoritetin Palestinez është zgjerimi i kolonëve në territoret palestineze. Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të lirojë të ardhurat fiskale që i takojnë Autoritetit Palestinez, të cilat janë pezulluar që nga maji i vitit 2025.
Qeveria izraelite ka reaguar ashpër ndaj kritikave nga BE-ja. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, akuzoi kryeministrin spanjoll Sánchez për hipokrizi dhe standarde të dyfishta, duke shtuar se qeveria e tij po përhap antisemitizëm.





