MAQEDONI, 30 prill 2013 – Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi po qëndron për vizitë në Maqedoni. Ai është pritur nga kolegu i tij maqedonas Nikolla Poposki, nga zv.kryeministri për Integrimet Evropiane, Fatmir Besimi dhe nga presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov.

Ministri Bumçi  ka biseduar me zyrtarët maqedonas në lidhje me thellimin e marrëdhënieve në më shumë fusha midis dy vendeve.

Bashkëbiseduesit kanë theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit ndihmon përparimin e proceseve demokratike, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.

Ministri shqiptar u ka rekomanduar shqiptarëve të Maqedonisë që të jenë pjesë e proceseve integruese dhe demokratike të këtij vendi, ndërsa ka shprehur kënaqësinë që shqiptarët janë një faktor  i rëndësishëm i qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së Maqedonisë.

“Ne besojmë që zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë i shërben interesit më të mirë të Maqedonisë dhe interesit të qytetarëve”, është shprehur gjatë një konference për shtyp, ministri i jashtëm Aldo Bumçi.