Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, zhvilloi sot një vizitë në disa kompani në Durrës, të cilat janë financuar nga linja e Kredisë prej 25 milion euro e Programit Italo-Shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri. Së bashku me z. Naço, në këtë vizitë ishte dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani dhe Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, z. Andrea Senatori.

Ministri Naço dhe ambasadori Gaiani vizituan kompanitë “Tetra Solution” sh.p.k, kompani e Teknologjisë së Informacionit, dhe “Coral” sh.p.k, kompani prodhim&përpunim prodhime deti.
Në fjalën e tij, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës falënderoi qeverinë italiane dhe zyrën e saj të bashkëpunimit me Shqipërinë, për mbështetjen financiare në kuadër të Programit të Zhvillimit të SME-ve në Shqipëri. Ministri Naço u shpreh se, zhvillimi i sektorit privat, e në veçanti i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.
“Për ekonominë e vendit tonë është me rëndësi që ndër përfituesit e skemës së dhënies së kredive të Programit të jenë edhe sipërmarrjet e teknologjive të informacionit. Këto kompani të vogla dhe të mesme e kanë treguar veten, sidomos gjatë dy-tre viteve të fundit, dhe me zbatimin e projekteve ambicioze të qeverisë për shtrirjen e komunikimit me internet në të gjithë vendin, të jenë në pararojë të zhvillimit të biznesit. Kthimi i investimit të tyre është shumë i shpejtë dhe me një garanci më shumë për bankat tonë të nivelit të dytë, që tu besojnë hua bankare”, u shpreh z. Naço.
Ministri shprehu mbështetjen e plotë të METE që nisma e Programit për të mbështetur SME-të të ecë në mënyrë sa më pozitive, dhe që Programi të realizojë nisma të ngjashme në sektorët më premtues të ekonomisë së vendit.
Nga ana e tij, ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaini shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë italiane për të mbështetur Shqipërinë dhe ekonominë e saj drejt zhvillimit të mëtejshëm.
Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 105 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që kontribuojnë në mbi 80 për qind të PBB. SME-të përfaqësojnë 99.9 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe mbulojnë rreth 82 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve.
Programi Italo-Shqiptar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme përbëhet nga tre komponentë. Së pari, 25 milion euro kredi të buta për linja kredie në favor të SME-ve. Së dyti, 2.5 milion euro kredi e butë për krijimin e Fondit të Garancisë, i cili mbështet SME-të shqiptare për të marrë kredi. Së treti, 1.7 milion euro grant për asistencën teknike, i cili synon rritjen e kapaciteteve për zbatimin e këtij programi dhe në tërësi për hyrjen e SME-ve në tregun financiar të vendit.