Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi që Ministria e Financave të përfaqësojë shtetin shqiptar si aksionare e vetme në “Bankën Shqiptare të Zhvillimit” sh.a.

Me këtë vendim, Ministria e Financave bëhet zyrtarisht përfaqësuesi i shtetit në pronësinë 100% të aksioneve të bankës së re zhvillimore, si dhe merr përgjegjësinë për ndjekjen e të gjitha procedurave të mëtejshme ligjore, në përputhje me ligjin përkatës që rregullon funksionimin e saj.

E themeluar në bashkëpunim me institucionin prestigjioz italian “Cassa Depositi e Prestiti”, kjo bankë synon të mbështesë sektorin e sipërmarrjes, veçanërisht projektet që kanë vështirësi në sigurimin e financimit nga bankat tregtare.

“Banka Shqiptare e Zhvillimit” do të ketë mundësi të mobilizojë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm financiarë, përfshirë mbledhjen e fondeve të rikthyeshme nga publiku, si dhe të krijojë degë apo shoqëri të lidhura, brenda dhe jashtë vendit.