Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion të detajuar për situatën nga zjarret në vend sot, më 9 gusht 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, situata në përgjithësi paraqitet e stabilizuar dhe nën kontroll. Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë punën në disa vatra aktive, ndërsa zonat e prekura po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.
Ministria bën me dije se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Tiranë, vijon monitorimi i vatrës së zjarrit në zonën e Dajtit. Ndërkohë, në Cikallesh të Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë mbetet aktiv, por situata po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse. Në Priskë të Madhe vijon puna për neutralizimin e vatrave të vogla.
Në qarkun Fier, zjarret në zonat e Mallakastrës raportohen nën kontroll, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në zonën Koilac–Greshicë.
Në qarkun Durrës, në Abaze të Krujës, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym. Autoritetet vijojnë ndërhyrjet në terren dhe monitorimin me forca të shumta, deri në eliminimin e plotë të çdo vatre zjarri.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes – Informacion i përmbledhur mbi situatën e zjarreve
(9 gusht 2026, ora 10:30)
Ministria e Mbrojtjes informon se bazuar në raportimet e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nën kontroll, ndërsa vijon puna në disa vatra aktive dhe monitorimi i zonave të prekura. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
QARKU TIRANË:
Në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, vijon monitorimi i vatrës së zjarrit.
Në Cikallesh, Kavajë, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë vijon të jetë aktiv, por situata nuk paraqitet problematike dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, pas mbështetjes edhe me mjet ajror të FA-së.
Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla.
QARKU FIER:
Në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll.
Edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali drejt zonës Koilac–Greshicë është nën kontroll.
QARKU DURRËS:
Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar dhe zjarri është nën kontroll. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym, ndërsa vijon ndërhyrja dhe monitorimi me 2 helikopterë, 30 efektivë të FA-së me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe 3 mjete të MZSH Krujë.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren deri në eliminimin e plotë të çdo vatre.





