DURRËS, 12 dhjetor 20914 – Të premten, më 12 dhjetor 2014, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantinë Gjermeni, inspektoi punimet e kryera në projektin “Rigjallërimi dhe Përmirësimi i Zonës Turistike-Pazari i Krujës”, me vlerë investimi 798 000 dollarësh, financim nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. Gjermeni deklaroi:
“Ky është një projekt model për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Krujë, bizneseve që operojnë në Pazarin e Krujës dhe Fondit Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, që është dhe financuesi i këtij projekti. Projekti që do t’i japë një fizionomi tjetër qytetit duke e kthyer Krujën në një destinacion më të preferuar për turistët e huaj dhe vendas pritet të përfundojë para afatit, në mars 2015. Një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij projekti është dhe krijimi i Shoqatës së Artizanëve dhe veçanërisht, vlerësimi i punës së dorës dhe artizanatit. Them se nga ky projekt do të përfitojnë gratë dhe të rinjtë, të cilët do të kenë më shumë mundësi punësimi”.
Gjithashtu, Ministrja inspektoi edhe zbatimin e punimeve të projektit për sistemimin dhe ndriçimin e rrugës së malit të Krujës, të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë totale investimi 15 817 979 lekë, ku tha:
“Kam ardhur në Krujë edhe për të inspektuar punimet e kryera në rrugën e Kalasë dhe sistemit të ndriçimit të Rrugës Malit, financuar nga Fondi Shqiptar i Rajoneve. Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen e lirë të autobusëve me turistë. Mendoj se të gjitha projektet që po zbatohen në Krujë së bashku me dy projektet që po financohen nga Bashkia Krujë, përbëjnë një komponent të rëndësishëm për t’i dhënë rëndësinë e duhur Krujës si një destinacion turistik”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”





