Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka reaguar ditën e sotme në lidhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave për rritjen e pagës minimale, në 40 mijë lekë.

Ibrahimaj ka deklaruar se kjo rritje prek rreth 200 mijë punëtorë, ndërsa shtoi se kjo nuk do të jetë rritja e vetme. E ftuar në një emision në “abcnews”, Ministrja  deklaroi se synimi është që në vitin 2025, paga minimale në vend të shkojë në 45 mijë lekë.

“Në fakt janë të gjitha kategoritë e bizneseve që preken, pasi punonjës me pagë minimale ka në të gjitha kategoritë e bizneseve.

Janë rreth 200 mijë persona që do të preken dhe do të përfitojnë nga kjo rritje. Kemi marrë një vendim për rritjen e pagave dhe për të hartuar politika që pagat të vijnë në rritje. Që nga viti i kaluar të ndikuar edhe nga rritja e çmimeve dhe inflacioni, ndërmorëm rritje të pagës dy herë nga 2 mijë lekë.

Brenda vitit 2025, paga minimale do të shkojnë në 45 mijë lekë, duke kuptuar situatën e punëtorëve dhe bizneseve. Në kemi menduar të vijnë në ndihmë atyre që të ndajnë koston e këtij vendimi me bizneset që preken nga rritja e pagës.

Kemi bërë një analizë të bizneseve me më shumë punëtorë me paga minimale që janë industria përpunuese dhe biznese të sektorit të bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve.

Kemi vendosur të subvencionojmë diferencën e pagesës së kontributeve të sigurimeve shqërore dhe shëndetësore”, tha ministrja.