Shqipëria do të zhvillojë projekte të përbashkëta në fushën e Arsimit me Ambasadën Zvicerane në Tiranë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi është takuar me Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë Sh. T. Z. Adrian Maître, në ambientet e MARS, ku kanë biseduar për projektet e përbashkëta në fushën e Arsimit dhe kërkimit shkencor.

“Me Ambasadën Zvicerane në Tiranë kemi vullnetin për të zhvilluar projekte të përbashkëta në fushën e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor. Një prej tyre është edhe projekti “Shkolla për Shëndetin”, për të cilin diskutuam gjerësisht me Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë Sh. T. Z. Adrian Maître”– shkruan ministrja.

Ajo nënvizon më tej se të dyja palët do të angazhohen për zbatimin me sukses të kësaj nisme, me qëllim përfitimin nga ana e nxënësve, mësuesve, familjeve e komuniteteve nëpërmjet promovimit të sjelljeve e praktikave të shëndetshme për ushqyerjen dhe aktivitetin fizik.