TIRANE – Kuvendi ka miratuar me 72 vota pro dhe 60 kundër buxhetin për vitin 2013, pasi e ka shqyrtuar atë nen për nen.

gjatë seancës së sotme plenare, kur u diskutua projektbuxheti, opozita dhe mazhoranca shkëmbyen debate të ashpra mes tyre. Të majtët i përligjën akuzat e tyre ndaj projektbuxhetit të propozuar nga qeveria me faktin se me këtë buxhet mazhoranca po shkel Kushtetutën.

Sipas deputetit socialist Arben Malaj shkeljet kushtetuese e vështirësojnë implementimin e buxhetit. “Në raport me të ardhurat kemi përkeqësim të deficitit. E drejta për të ndryshuar buxhetin është vetëm e Parlamentit”,- u shpreh Malaj. Ndërkohë ministri i financave, Ridvan Bode duke replikuar me Malajn tha se buxheti i 2013-ës është tërësisht kushtetues dhe i ligjshëm. 

Nga ana tjetër deputetja socialiste Mimi Kodheli u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i besojnë më kësaj qeverie, e cila sipas saj i ka katandisur financat publike në ditën e tyre më të keqe, duke e zhytur vendin në një borxh që ka dalë jashtë çdo kontrolli.

Niveli i të ardhurave në buxhetin e vitit 2013 parashikohet rreth 360.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.8 % kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 % të PBB.