Komisioni Evropian ka dhënë dritën jeshile për vaksinën e parë të kombinuar që mbron njëkohësisht nga Covid-19 dhe gripi.

Vaksina e zhvilluar nga Moderna, e bazuar në teknologjinë mRNA, është miratuar për përdorim tek të rriturit mbi 50 vjeç.

Sipas rezultateve të studimit ku morën pjesë rreth 8 mijë vullnetarë, personat që morën vaksinën e kombinuar prodhuan nivele antitrupash të paktën po aq të larta sa ata që u vaksinuan veçmas kundër Covid-19 ose gripit me vaksina të miratuara.

Kjo vaksinë përmban molekula mRNA që udhëzojnë qelizat e trupit të prodhojnë proteina të viruseve të gripit dhe Covid-19. Këto proteina njihen nga sistemi imunitar si antigjene, duke nxitur prodhimin e antitrupave që ndihmojnë në uljen e rrezikut për infeksion dhe forma të rënda të sëmundjes.

Vaksina e kombinuar mund të reduktojë rastet e infeksioneve të dyfishta nga të dy viruset, një kombinim që shpesh çon në përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Të dhënat nga OBSH-ja tregojnë se deri më 1 shkurt 2026 janë raportuar mbi 280 milionë raste me Covid-19 në Evropë. Ndërkohë, gripi shkakton rreth 50 milionë raste simptomatike çdo vit në Hapësirën Ekonomike Evropiane, që përfshin vendet e BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë.

Ndryshe nga Evropa, vaksina e kombinuar nuk është miratuar ende në SHBA. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i njohur për qëndrimet e tij skeptike ndaj vaksinave, ka pretenduar se vaksinat mRNA janë “joefektive” dhe mund të “nxisin mutacione” të viruseve.

Një vit më parë, Moderna tërhoqi aplikimin e saj pranë autoriteteve amerikane dhe së fundmi ka njoftuar se pret udhëzime nga ‘Administrata e Ushqimit dhe Drogërave’ për të paraqitur një kërkesë të re.

Kompania ka zhvilluar gjithashtu një vaksinë të veçantë mRNA vetëm për gripin, për të cilën pritet që të dorëzohet një aplikim i ri edhe pranë autoriteteve evropiane.

Efektet anësore më të zakonshme të vaksinës së kombinuar janë të ngjashme me ato të vaksinave ekzistuese dhe përfshijnë dhimbje në vendin e injektimit, lodhje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke, të dridhura, ënjtje të nyjeve limfatike, të përziera dhe temperaturë. Këto simptoma zakonisht shfaqen brenda dy ditëve nga vaksinimi dhe zgjasin rreth tre ditë.