Posaçërisht për “DurresLajm”/ Mirban Kadiu, notari i 100-vjetorit dhe i përjetësisë
* Fund karrierës si notar, por përjetësisht pranë ujit

NGA BUJAR QESJA

18 shtator 2015 –  E kam ndjekur karrierën sportive të Mirban Kadiut, prej 40 e ca vitesh. Është po i njëjti: fizikisht i pamposhtur, teknikisht i pakonkurrueshëm, moralisht vital dhe aspak dorëheqës.  Ky Mirban po kthehet në nderi i noti për mënyrën se si e shikon ai këtë sport tradicional dhe jetik për durrsakët. Pyetja më e thjeshtë nga ju lexues të nderuar është kjo: Po pse përsëri për Bonin? Është nder dhe vlerë, gjithnjë sportive, por edhe pikë referuese. E duam një të tillë dhe shyqyr që e kemi. Ai është Boni ynë. Retrospektiva është e dhimbshme. Janë larguar nga kjo botë shumë personalitete të notit. Janë këtu Shaqir Kapexhiu, me rusen e tij të njohur Sashën; Sul Tufa; Ilmi Kapllani; Agron Ismailati; Bashkim Dakoli; Eqerem Korra; Arben Rrogozhina; Dhimitraq Goga; Milorad Jeremiqi; “Tarzani” Taq Dafa e shumë të tjerë, të cilët i kam fiksuar në sa e sa shkrime. Tani edhe mua më ka përfshirë dukshëm nostalgjia dhe
jam gati të bëj çdo kompromis në emër të saj. Dhe një i tillë, është edhe ky bashkëpunimi imi i këtij numri me “Durreslajm”-in tonë. Pak fjalë të tjera për Bon Kadiun. Por çfarë ka mbetur pa thënë? Ç’gjë të re tjetër do të themi? Ndoshta asgjë këtu, ndoshta diçka. Por ajo që më mban ende gjallë këtu është, se shkruaj për Bon Kadiun, këtë ikonë të pashpallur të notit, që fatmirësisht e kemi ende mirë me shëndet si molla.

Rastësia

Njëri prej atyre që i ka bërë dalje plazhit të Durrësit, jam edhe unë. Rininë po bëj sikur e kam harruar, pasi më djeg në shpirt ajo katrahurë që është bërë me kujtimet e mia të fëmijërisë, ku nuk lija ditë pa shkuar në plazhin e jetës time. Tanimë jo atje. Të paktën, të mos tallem me vetveten. Sikur Currilat më ngacmojnë e më tërheqin ende, të paktën, për të thënë që kemi ende pak Durrës, nga ajo e vjetra e rinisë tonë. Dhe shkova një ditë tek Brryli, tek lokali i Tim Turkut. Pranoja të bëja kompromis me ketë durrsak të “lashtë”,çfarëdo që do të më serviste – veçse të isha bashkë me të pjesë e Durrësit tonë të vjetër. Dhe jam me fat, që këtë psikologji në mendje e në realitet e ka edhe 83-vjeçari Mirban Kadiu. Qëllova rastësisht tek Tim Turku një paradite, në përmasat e mesditës. Rastisa në një çudi, shqiptare sigurisht. Mu pranë tavolinës time pranë bregut, del si një gjigant Mirban Kadiu. U përshëndetëm dhe e ftova si gjënë më të shtrenjtë të çastit në tavolinën  time. Një trup i bukur, i paprekur nga rinia e hershme më joshi në përmasat e një shkrimi tjetër për të. Kush tha, se nuk do të shkruhet më për Bon Kadiun!? Edhe kur je për qejfin tënd, të shfaqet përsëri ai, i zakonshmi, durrsaku me rrënjë dhe degë, trupbukuri si selvi, komunikuesi i ëmbël i durrsakërisë së thekur të viteve 30-të, ai pra, i miri dhe i zakonshmi i jetës tonë të përditshme, Mirban Kadiu. 

Shkundja e penës

E pena ime kështu merr zjarr, e ngacmimi i fantazisë kalon në konture të reja, të pashkelura më parë. Çfarë po bën kështu Bon Kadiu? A ke ndërmënd të dorëzohesh një ditë? Unë nuk kam ndërmënd ta mbyll karrierën, nëse ti vepron kështu! Eh, bela hej! Ku kërkon të shkosh Bon Kadiu?! Je 83 vjeç dhe as ke ndërmënd të ndahesh nga aleati yt i vjetër – deti. Deti ynë i përbashkët, që i lidh si një emërues i përbashkët të gjithë durrsakët. Dhe erdhe në tavolinë  time tek Tim Turku dhe të thashë se çfarë do prej meje! Përgjigja: mirësi dhe respekt! Ndeze një cigare, aleaten tënde të përjetshme dhe duke më bërë nder, mbi kënaqësinë e një tavoline të tejmbushur qëndrove me mua disa minuta.
-Çfarë bëre tani? – e pyeta Bon Kadiun.
-Kam planin tim të përditshëm, dy orë takim me detin.
-Por në akuadromin e Tiranës, me  2 dhe 3 shtator zhvillohen garat edhe për veteranë. Ti do të jesh atje?
-Jo, jo. I kam dhënë fund që në vitin 2012, kur garova në garat për 100-vjetorin e Pavarësisë. Notari Bon Kadiu, në nivele  protokollare, u largua nga noti. Federata Shqiptare e Notit dhe presidenti i saj Agim Çiraku, më nderuan me Çmimin e Karrierës dhe notarit të cilësisë së lartë. Krahas 38 medaljeve të fituara, këto janë evenimente më themelore të arritjeve të mia. Fund këtu, në këtë eveniment të madh kombëtar. Sa i takon angazhimit tim me detin, nuk do të mungoj sa të kem frymë. Madje deti, në apelin për çdo ditë dhe kur thërret emrin tim Mirban Kadiu, të jesh i sigurt, miku im i letrave, që unë do të them KËTU. Nga deti nuk ka zot nane të më ndajë. Dhe nëse bëj analizat e gjakut, e dini çfarë më del: ujët e detit.

Pasi më foli kështu miku i kahershëm edhe i tim eti Mirban Kadiu, më kërkoi leje pasi i duhej të shkonte tek gruaja e tij e shtrenjtë –  Fftinia, që kryen prej disa vitsh dializën e veshkave. 

Nderi i Ujit

Ngrihet dhe me fuqinë e një sportisti  të ri, largohet me kënaqësinë e një durrsaku të ëmbël. Ai largohej dhe unë e vështroja edhe fizikisht, por edhe si një simbol i përjetshëm i notit. Ia kam shkruar jetën. Kam thënë se ka 38 medalje. Kam thënë se është Nderi i Sportit Shqiptar, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Nder për qytetin tonë të përbashkët Durrësin, kam shkruar se është i datëlindjes 11 qershor 1933 dhe 12 vjeç filloi notin sportiv, përmirësoi shumë rekorde kombëtare, nxori talente të vërteta të notit dhe ajo që vlen mbi të tjerat, është se mbetet kryenotari, kryefjala e notit durrsak. Bon Kadiu është shumë, shumë i njohur. Për të gjitha këto që thamë, për dashurinë për detin, për notin dhe për durrsakët. Pasuria e tij më e madhe është një biçikletë e vjetër e viteve 50-të, e riparuar nga shpirti dhe fisnikeria e tij prej një durrsaku të vërtetë. A është vallë Bon Kadiu, ky shkrim i im i fundit për ty? S'e besoj se mund të vihet pika këtu. 

Të tjera surpriza janë përgatitur. Ati vijnë ashtu natyrshëm e mjaft këndshëm si atë ditë, tek lokali i Tim Turkut. Të përulem mjeshtër! Gjthnjë fakt i artë i penës sime!

/red. th. m. DurresLajm/