Një nga kostumet popullore më të spikatura në Shqipëri dhe Europë është edhe kostumi i nuses mirditore. Një kostum tradicional dhe pa influencë të viseve të tjera, pra një bukuri e rrallë stilistike autoktone. Jo pa qëllim në festivalet folklorike të Gjirokastrës, për spikeren ishte zgjedhur kostumi i nuses mirditore.

Me këtë kostum është zhvilluar gjatë verës së vitit të kaluar edhe një ceremoni dasme në fshatin Sukth të qytetit të Durrësit. Një ceremoni e tillë është e zakonshme, por në këtë rast flitet për një nënshtetase italiane, e cila e ka celebruar martesën e saj me një djalë mirditor, e veshur me këtë kostum të rrallë për të cilin ajo thotë se kur e veshi vetë e ndjeu se pse të jepte kënaqësi të veçantë.

“Ndjehesha e bukur e veshur me rrobat moderne, po kur e vesha këtë kostum nuseje unë e pashë se bukuria ime ishte transformuar. Ndjehesha mjaft mirë, si kurrë ndonjëherë. Me këtë veshje të rrallë ndihesha mitike e shumë e vlerësuar, ndihesha si një perëndi pagane e viseve mirditore”,- u ka thënë ajo miqve të saj italianë gjatë dhe pas ceremonisë. Dasma e çiftit Shtjefën Margjeka dhe Elena Ballerini është bërë në fshatin Sukth më 13 gusht 2011.

Dasma që respektoi traditën

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë shumë miq nga vise të ndryshme të vendit, por kryesisht nga Mirdita. Së bashku me to kanë qenë edhe pjesëtarë të familjes së nuses Ballerini të ardhur nga Firence. Nusja “mirditore” është rikthyer disa herë pas martesës me të shoqin në Durrës si dhe në vendlindjen e dhëndrit në fshatin Hebë në Domgjon të Fanit. Për të si veshjet tradicionale ashtu edhe bukuritë e spikatura të peisazheve mirditore janë në unison.

“Është një vend që më jep shumë kënaqësi. Është një nga vendet më mbresëlënëse me bukuri të rrallë dhe të egër”,- u ka thënë ajo miqve të vet kur e kanë pyetur për vendlindjen e Shtjefnit. Dhe këtë dashuri për këto vise ajo ka dashur që t’i fiksojë edhe në momentet më të lumtura të jetës së saj, në ditën e dasmës. Fotot dhe pamjet filmike që do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës tashmë tregojnë imazhet e një dasme të zhvilluar sipas traditave të zonës veriore. Megjitëhse e ardhur nga Firence, një nga qytetet më turistike të Italisë, Elena nuk ka nguruar aspak t’u përshtatet zakoneve tradicionale mirditore dhe të veshë në dasëm kostumin popullor të atyre viseve.

Dhëndri, Shtjefën Margjeka, ka lindur në rrethin e Mirditës, në fshatin Hebë, që i përket si njësi territoriale Komunës së Fanit. Në vitin 2003 ai ka emigruar në Itali. Pas shumë peripecish është stabilizuar me punë në Firence. Tashmë ka hapur një sipërmarrje private të tijën në Prato. Gjatë viteve të qëndrimit në Itali është detyruar të bëjë punë të ndryshme, duke ecur në rrjedhën e fatit të një refugjati pa dokumenta të rregullta.

Po gjatë gjithë kësaj periudhe ka ndjekur vetëm tragën e punëve të ndershme, atyre punëve që i siguronin të mirat materiale vetëm me djersën e ballit. Kjo ishte një nga këshillat e çmuara që i ka dhënë i jati që në moshën e fëmijërisë dhe që Shtjefni thotë se nuk e ka anashkaluar kurrë. Edhe në situatat më të vështira të jetës së tij.  Më pas ka nisur aktivitetin e montimit të tendave me duralumin. Kur është ndjerë i fuqishëm ekonomikisht, pasi grumbulloi lekët e kursyera nga vite të tëra pune në emigracion ka hapur vetë një veprimtari sipërmarrese në këtë aktivitet. Fatmirësisht deri tani biznesi i ka rezultuar mjaft fitimprurës.

Fejesa e çiftit italo-shqiptar

Shtjefni kujton se është njohur me Elenën në vitin 2005. Kur e ka njohur gruan e tij të ardhshme, ajo po festonte ditëlindjen në një lokal. “Me që u ndodha rastësisht aty, për kortezi, shkova e urova edhe unë. Atë periudhë kisha dy vite që ndodhesha në Itali dhe e kisha përmirësuar mjaft mirë komunikimin në gjuhën italiane. Po kisha një problem se isha pa dokumenta të rregullta.

Ndjehesha e bukur e veshur me rrobat moderne, po kur e vesha këtë kostum nuseje unë e pashë se bukuria ime ishte transformuar. Ndjehesha mjaft mirë, si kurrë ndonjëherë. Me këtë veshje të rrallë ndihesha mitike e shumë e vlerësuar, ndihesha si një perëndi pagane e viseve mirditore”,- u ka thënë Elena Ballerini miqve të saj italianë gjatë dhe pas ceremonisë së dasmës

Pas njohjes në lokal, jemi takuar bashkë disa herë. Një vit më pas kam hyrë për herë të parë në familjen e Elenës. Atje jam njohur me prindërit e saj, të ëmën, të jatin, vëllanë  e madh dhe një motër më të vogël se Elena. Fillimi natyrisht që ka qenë i vështirë, pasi duke qenë shqiptar, ata kishin paragjykime për prejardhjen time.

"Madje kishin edhe një histori personale konflikti me një bashkatdhetar tonin”,- thotë Shtjefni. Ata më treguan më vonë se një person, me origjinë shqiptare kishte sulmuar me thikë një të afërm te tyre, me qëllimin për ta grabitur. “Kështu që merret lehtë me mend se si ka qënë atmosfera e parë. Ato ndiqnin me vëmendje çdo fjalë dhe lëvizje timen. Po pas disa muajsh ata më kanë trajtuar me respekt si pjesëtar të familjes së tyre”,- shton Shtejfni.

Pas një periudhe njohjeje prej rreth gati 3 vjet ai i ka kërkuar italianes që i kishte rrëmbyer zemrën të martoheshin bashkë. “Ia thashë këtë Elenës dhe familja e saj e mirëpriti këtë martesë. Po kur më pyesnin për vendlindjen, unë ua kam përshkruar Mirditën me ngjyrat e mallit tim dhe mbase ata kanë menduar se po u flisja për parajsën…Tashmë jemi martuar dhe po përpiqemi që të blejmë një shtëpi. Nderkohë po mendojmë se çfarë mund të investojmë në Shqipëri konkretisht”,- thotë mirditori i vendosur prej vitesh në Sukth të Durrësit.

Elena: Mirdita në zemrën time

Shtjefni tregon se që kur janë martuar ata kanë ardhur në Mirditë dhe Durrës rreth 3 herë. Elena ruan përshtypje nga më të mirat për këto dy qytete. Kërkon shpesh të vijë në Mirditë për ajrin e pastër që ka atje dhe gjelbërimin e pyjeve të zonës malore. Duket se qetësia absolute që të ofrojnë këto vise i duken italianes së bukur vend ideal për të kaluar pushimet. Nga ana tjetër këto dy qytete kanë lidhje me jetën e mëparshme të bashkëshortit të saj e për këtë arsye rikthimi në to është një moment i veçantë për të dy. “Me kërkesat e saj të përsëritura ne kemi vendosur që të vijmë për ta festuar Vitin e Ri në Durrës dhe në Mirditë.

Vetë nusja “mirditore” nga Firence thotë se ajo megjithëse ka lindur dhe jeton në Itali ndjehet edhe ajo mirditore tashmë. “Kjo pasi Shqipëria është pjesë e pandarë e familjes sime dhe Mirdita tashmë është në zemrën time!”,- thotë Elena Ballerini.