Përvoja botërore dhe evropiane për fashizmin:
Në vitet e para të luftës së Dytë Botërore, për Shqipërinë, nuk ishte e aspak e sigurt nëse do të ekzistonte e pavarur. Pika e kthesës, do të shkruante R. Hibbert, ndodhi më 1943-1944, kur lufta partizane e bënë të sigurt, se vendi do të ringjallej brenda kufijve para 1939-s. Historia botërore si dhe ajo evropiane na ka treguar se bashkëpunëtorët nazi-fashistë janë dënuar pas Luftës. Në Francë njihej Filip Peteni, heroi francez i Luftës së Parë Botërore, por që kishte postin e Kryeministrit kur u pushtua Franca, u la në detyrë dhe bashkëpunoi me gjermanët. U justifikua se bashkëpunoi me gjermanët për të ruajtur Parisin nga shkatërrimet. Qeveria e Sharl De Golit e burgosi si bashkëpunëtor dhe e internoi në ishull. Norvegjia, poetin nobelist Knut Hamson, e burgosi dhe e mbajti gjatë në burg, sepse me shkrimet e tij përkrahu nazizmin. Edhe Amerika që njihet si vendi më antikomunist në botë, dënoi me burgim Ezra Paund, nobelistin në letërsi, për propagandimin e nazizmit dhe fashizmit. Dënimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk është fenomen shqiptar.
Shkruajnë misionarë të aleatëve gjatë LANC-it
Në mjaft dokumente të botuara, vitet e fundit nga ish misionarë të aleatëve gjatë LANÇ-it në Shqipëri, vërtetohet se pushtuesit nazi-fashistë kishin bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri, këta e tradhtuan popullin dhe me mbarimin e luftës u larguan me pushtuesin. Dhe “luftëtarët” e komunizmit, të ardhur në Shqipëri, në kohën e demokracisë, u hoqën si demokratë të luftës për demokraci. Kujtimet e autorëve të huaj thejksojnë se këta “luftëtarë të demokracisë dhe antikomunistë”, kanë luftuar kundër pushtuesve fashistë gjatë LANÇ-it. Librat “Bijtë e Shqipes” të Xhulio Emerit, “Historia e hidhur” e Reginald Hibbertit, “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945 të Berd J. Fischer, Kujtime të Herman Frank, ish komandant batalioni të Div. 287 Gjerman që veproi në vitet 1943-1944 në Shqipëri, shkruajnë se historia vuri përballë njera-tjetrës forca shoqërore të kundërta të kombit shqiptar, forcat patriotike të qytetit dhe të fshatit të udhëhequra nga komunistët dhe pushtuesit të huaj, klasat e pasura, forcat reaksionare të grumbulluara në: “Ballin Kombëtar,” “Legalitetin” dhe forca të tjera, Fulci, drejtuesit e zyrës së shërbimit strategjik amerikan në Shqipëri i dërgonte në 1944-n, Uashingtonit një raport mbi gjendjen e këtyre forcave të përfshira në qeverinë kuislinge.
Aty thuhet: “Nuk është e rastit që këta antarë të këtij grupi përkrahnin planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët, në të cilin qëndrojnë në miqësi me nazistët gjermanë… Elementët përbërës të këtyre grupeve janë: bejlerët e pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut si Vërlacët, Virionasit, Vlorat, Libohovët, etj; bajraktarë e kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës, Lurës, Dinet, Elezët, etj; katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit, Bushatit, Markagjonët, Çobët, Harapët, etj. elementët ballistë shumica e të cilëve kanë dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresat e bejlerëve të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë e të xhandarmërisë, zyrtarë profesionistë, tregtarët e pasur, mjekët e juristët e privilegjuar, etj. shumica e këtyre elementëve (me përjashtime të vogla) janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë influencat thelbësore më anti demokratike të vendit”.
Vendi i nacionalistëve në luftë
Lufta e pushtuese kundër UNҪSH dhe Frontit Nacional-çlirimtar nuk ishte e shkëputur nga përpjekjet e githanshme të reaksionit të brendshëm e të jashtëm për të ruajtur sundimin politik të klasave të pasura në Shqipëri. Ndaj u vërsulën me egërsi kundër Frontit Nacional-çlirimtar. Në raportin e Maklinit thuhet, se nacionalistët e të gjitha ngjyrave kishin “armikun kryesor Frontin Nacional-lirimtar”, ndërsa R. Hibbert thekson se “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk e ngritën gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm për veprime kundër partizanëve”. Raportet e shumta të misioneve anglo-amerikane për Londrën e Uashingtonin konfirmojnë plotësisht pikëpamjen e Frontit Nacional-çlirimtar dhe të PKSH, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti u zhytën në tradhëti. Në kushtet e pluralizmit, të lirisë së shtypit dhe të informacionit, një kryqëzatë e shumëllojshme me shpifje e banalitete publicistike ka ngritur krye kundër LANÇ-it duke arritur deri aty sa ta quajnë atë, luftë civile. LANÇ-i nuk ka asnjë element të luftës civile. Këta ideologë e teoricienë të reaksionit shqiptar, kërkojnë të deformojnë historinë. Në shkurt 1943 governatori i Italisë në Shqipëri F. Jakomoni emëroi kryeministër Maliq Bushatin dhe një muaj më vonë Ali Këlcyra nënshkroi traktatin Dalmaco-Këlcyra. Në këtë marrëveshje Balli Kombëtar zotohej se do të ndalonte çdo lloj veprimi kundër ushtrisë italiane dhe se do ta ndihmonte atë. “Udhëheqësit e Ballit do të shkruante R. Hibbberti, i kishin siguruar italianët që nuk do t’u krijonin turbullira ose nuk do të pengonin përpjekjet e italianëve për të shtypur ushtarakisht LANÇ-in. “Kupi dhe prijësit e veriut, thekson B. Fischer, si dhe Balli Kombëtar rrëshqitën gradualisht në kolabora-cionizëm. Kupi, si dhe Bajraktari, me shumë gjasa nënshkroi një besë, pakt mossulmimi me gjermanët”… dhe më poshtë shkruante se: “… Balli Kombëtar, dhe forcat e tij, të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, ishin bërë pjesë normale e çdo force gjermane”. Balli dhe Legaliteti nuk kishin në strategjinë e tyre luftën kundër pushtuesve për çlirimin e vendit, por përkrahjen ndaj pushtuesve. Në raportet e shërbimeve sekrete dhe të ndërlidhjes (BLO) zbulohen veprimet konkrete të ballistëve kundër LANÇ-it. Në raportin e majorit Bokshalll i SOE më 30.06.1944 thuhet se, “Është e provuar përtej çdo hije dyshimi se qeveria e Tiranës dhe Ballkomi janë duke bashkëpunuar aktivisht me gjermanët”, …ndërsa në raportin e majorit Maklin thuhet, “Nuk duhet menduar, se kjo është një parti e organizuar (Legaliteti) në po atë mënyrë si LANC-i … udhëheqësit e tij … janë rreshtuar me gjermanët kundër LANÇ-it, më poshtë theksonte se, “Ballkomi dështoi në qëllimet e veta dhe tani është më larg se kurdoherë nga mundësia për ta shkëputur veten prej bashkëpunimit me gjermanët”. Në operacionet e dimrit 1943-1944 dhe të qershorit 1944, forcat ballisto-zogiste morën pjesë aktive në luftën për asgjësimin e UNÇSH. Qarkorja e Komitetit Drejtues të Ballit Kombëtar dhe M. Frashëri urdhëronin fromacionet e ballit që, “Të mos merren me asnjë operacion luftarak kundër gjermanëve”. B. Fischer do të theksonte se “Kur ofensiva gjermane e Dimrit nisi të jepte shenja suksesi, njësitë e Ballit Kombëtar nisën të merrnin pjesë aktive në të, më se 10 000 nacionalistë ndihmonin gjermanët, të ndarë përafërsisht në pesëmbëdhjetë grupe, prej të cileve gati gjysma ishin të Ballit Kombëtar”.
Për legalistët, Gjeneral Devis, informonte Londrën se “Zogistët po bashkëpunojnë me gjermanët, po i shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë ata në ruajtje të rrugëve kryesore,… duke i liruar trupat gjermane nga kjo barrë”. Bashkëpunim të Bazit me gjermanët e dëshmojnë edhe raportet mujore të inteligjencë Servisit britanik e amerikan. “Asnjë figurë e vetme ndërmjet nacionalistëve të Shqipërisë nuk e ngriti zërin e nuk protestoi kundër gjermanëve. Ata ishin shumë të zënë me protestat kundër LANÇ-it e partizanëve”, ndërsa majori Maklin raportonte se, “Asnjë nga nacionalistët që përbëjnë shumicën në Shqipërinë e Veriut, nuk duket i prirur për të luftuar kundër gjermanëve. Në të vërtetë ata bashkëpunojnë me ta”. Aleatët bënë të gjitha përpjekjet që këto forca “nacionaliste” të hidheshin në luftë kundër pushtuesit, por ato me gjithë premtimet e dhëna, kurrë nuk i shkrehën armët kundër gjermanëve. Populli shqiptar po u tregon vendin e tyre politikanëve të vjetër e të rinj të veshur me kostume moderne, që i shohim në ekranet e televizioneve dhe mbajnë ligjërata për demokracinë. Thënia e lordit anglez se “… mbetet fakt që ishin dhe janë shqiptarët që përcaktuan fatin e vendit të tyre …dhe në fund të fundit do të jenë shqiptarët ata, të cilëve u takon të japin gjykimin vendimtar, … për fatin e kombit shqiptar dhe jo bashkëpunëtorët e fashizmit” mbetet një thënie sa kuptimplote aq edhe e drejtë.
Doktor i Shkenc. Novruz Zejnati
Kolonel R.