Në Durrës është zhvilluar konferenca ndërkombëtare e fondacionit humanitar “Misioni pa kufij”, ku është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, që ju dorëzua presidentit të këtij fondacioni, me motivacionin “Për shërbime të shquara në qytetin e Durrësit në ndihmë të komuniteteve dhe shtresave në nevojë dhe për kontribute të vazhdueshme në fushën e arsimit dhe shëndetësisë gjatë periudhës 1992-2016.”
Titulli iu dha nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ka vlerësuar maksimalisht kontributin e këtij fondacioni gjatë 20 viteve aktivitet në Durrës në ndihmë të familjeve në vështirësi në qytetin tonë.
“Misioni që organizata juaj ka marrë përsipër kërkon një përmasë dhe një dimension tjetër; atë human. Mjaft të ndjekësh kontributin tuaj ndër vite dhe konstaton me lehtësi atë punë aq të lavdërueshme që shtrihet deri në çdo hallkë delikate të qytetit. Në këto mbi dy dekada punë në Durrës dega juaj në Shqipëri është bërë strehë për familjet e varfra në nevojë, por pikë mbështetjeje edhe për organizata, shoqata, institucione të kultit e institucione publike, duke kontribuar për të zgjidhur probleme dhe rrjedhimisht duke ndikuar ndjeshëm në probleme nga më jetësoret dhe emancipimin e transformimin e shoqërisë.
Ne si bashki vlerësojmë shumë ndihmën e vazhdueshme për komunitetin e rreth 250 familjeve në nevojë të programit “Family to Family”, ndihmën tuaj jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të emergjencës por edhe integrimin denjësisht në shoqëri të këtyre familjeve. Misioni ka ndihmuar edhe me pajisje për spitalin e qytetit, shkolla, rrjetin e kopshteve e çerdheve dhe veçanërisht në situata emergjente. Prandaj unë jam sot këtu për të shprehur këtë mirënjohje dhe bindjen time të thellë se ky bashkëpunim i frytshëm, aq i ndjeshëm për shtresat në nevojë të qytetit tonë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, u shpreh Dako gjatë fjalës së mbajtur.
Në ceremoni kanë marrë pjesë drejtues të degëve të këtij fondacioni nga shtete të ndryshme të botës.





