Fitorja e një argjentinaseje në Miss Kosova ngjalli polemika. Deri më tani, asnjë vajzë që nuk flet shqip nuk i kishte përfaqësuar shqiptarët në Miss Universe apo konkurse të tjera ndërkombëtare.
23-vjeçarja Camila Barraza u shpërngul në 2015-ën në Kosovë për të jetuar me të dashurin e saj shqiptar. Modelja udhëton herë pas here për angazhimet e saj profesionale por këtë vit, vendosi të merrte pjesë në një konkurs të bukurisë shqiptare.
Agnesa Vuthaj tha në emisionin “NIN” se fitorja e saj ishte unanime; të katër antarët e jurisë votuan emrin e saj si fituese të Miss Kosovës. Organizatorja argumentoi se fitorja është e drejtë e cilësdo konkurrente.
“Nuk mund të kundërshtojmë fitoren; do të duhej të vinim në diskutim organizatorët që e pranuan. Kur e pranon në konkurs, nuk mund t’ia mohosh kurorën.”
Vuthaj, ish-Miss Kosova dhe ish-Miss Shqipëria, shpjegoi se në këtë konkurs nuk ka kufizime për shtetësinë e kandidateve sepse shumë shqiptare jetojnë jashtë vendit; kjo do të penalizonte shumë vajza.
“Miss Kosova nuk ka kufizime për shtetësinë, sepse marrin pjesë shumë vajza nga Diaspora.”
Kujtojmë se në 2011-ën, Kosova u përfaqësua nga Afërdita Dreshaj e cila ka shtetësi nga Mali i Zi.
Barraza me një gjatësi prej 1.80 m., do të përfaqësojë Kosovën në Miss Universe 2016 që do të mbahet në Filipine, pas fitores së Pia Wurtzbach.





