Një anije mallrash ruse, që ka të ngjarë të transportonte dy reaktorë bërthamorë për nëndetëse, ndoshta të destinuara për në Korenë e Veriut, pësoi një seri shpërthimesh dhe u fundos në rrethana të paqarta rreth 60 milje larg brigjeve të Spanjës, sipas një hetimi të CNN.
Fati i ‘Arushës së Madhe’ është mbështjellë me mister që nga fundosja e saj më 23 dhjetor 2024. Megjithatë, sipas raportit të CNN, kjo mund të shënojë një ndërhyrje të rrallë dhe me rrezik të lartë nga një fuqi ushtarake perëndimore, që synon të parandalojë Rusinë nga dërgimi i teknologjisë së përparuar bërthamore te aleati i saj kryesor, Koreja e Veriut.
Anija lundroi vetëm dy muaj pasi Kim Jong Un dërgoi trupa për të ndihmuar pushtimin e Ukrainës nga Moska.
Aktiviteti intensiv ushtarak i kohëve të fundit rreth rrënojave i ka shtuar misterin që rrethon ngarkesën dhe destinacionin e saj.
Avionë amerikanë për zbulimin bërthamor kanë fluturuar mbi anijen e fundosur dy herë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të fluturimeve të disponueshme publikisht. Rrënojat u vizituan gjithashtu një javë pas fundosjes nga një anije e dyshuar ruse spiune, e cila shkaktoi katër shpërthime të tjera, sipas një burimi të njohur me hetimin spanjoll për incidentin.
Qeveria spanjolle ka thënë pak, duke lëshuar vetëm një deklaratë më 23 shkurt pas presionit nga ligjvënësit e opozitës.
Ajo konfirmoi se kapiteni rus i anijes u kishte thënë hetuesve spanjollë se Ursa Major mbante “komponentë për dy reaktorë bërthamorë, të ngjashëm me ata që përdoren në nëndetëse ” dhe se nuk ishte i sigurt nëse ato përmbanin karburant bërthamor.
Sekuenca e ngjarjeve që e çuan Arushën e Madhe në fund të Detit Mesdhe mbetet e paqartë. Sipas hetimit spanjoll, siç përshkruhet nga një burim i njohur me përmbajtjen e tij, një lloj i rrallë torpedo mund të jetë përdorur për të shpuar trupin e anijes.
Incidenti ndodhi në javët e fundit të presidencës së Joe Biden, kur lufta në Ukrainë ishte në një fazë të favorshme për Moskën dhe kishte një dëshirë të fortë në Shtetet e Bashkuara për të shmangur një përshkallëzim të menjëhershëm me Rusinë.
Arusha e Madhe, e njohur edhe si Sparta 3, ishte përdorur për të evakuuar pajisjet ruse nga Siria dhe u ankorua më 2 dhjetor në portin e karburantit të Ust-Luga, në Gjirin e Finlandës, përpara se të zhvendosej në një strukturë kontejnerësh në portet e Shën Petersburgut.
Manifesti publik i ngarkesës së anijes deklaronte se destinacioni i saj ishte Vladivostok, në Lindjen e Largët Ruse, kur u nis për në det më 11 dhjetor, duke mbajtur dy “kapakë pusetash” të mëdhenj, 129 kontejnerë bosh dhe dy vinça të mëdhenj.
Anija kishte pësuar tre shpërthime në anën e djathtë, me shumë mundësi pranë dhomës së motorit, duke vrarë dy anëtarë të ekuipazhit. Anija mbeti aty, e anuar dhe e palëvizshme, siç tregon videoja e postuar në mediat sociale.





