Tashmë kur Vatikani ka nisur procedurat për zgjedhjen e papës së tij, pas dorëheqjes së papritur të Benediktit të XVI-të, në media kanë qarkulluar lajme të ndryshme lidhur me historitë e dorëheqjeve të Atit të shenjtë në shekuj, komplotet dhe intrigat që kanë tronditur selinë e shenjtë, si dhe skandalet që kanë shoqëruar rrugëtimin e kishës.

Ndërsa në ditët tona është ende tabu mendimi për të pasur një papë grua, ose më mirë një papeshë, rrëfimet që vijnë nga shekujt tregojnë historinë e papeshës Giovanna, megjithëse kisha i hedh poshtë këto rrëfenja.

Papesha Giovanna konsiderohet më tepër një figurë legjendare, që mendohet se e ka drejtuar kishën nga viti 853 deri në 855. Ndërsa kisha vazhdon t’i mëshojë faktit se nuk ka ekzistuar një papë femër legjendat që vijnë nga mesjeta rrëfejnë për jetën dhe drejtimin e papatit nga ana e papeshës Giovanna.

Legjenda, e përhapur kryesisht në shekullin e 13-të, tregon se mes viteve 853-855, një grua e veshur si burrë u zgjodh Papë dhe qeverisi kishën për dy vjet. Duket se dashuria për një djalë që ishte prift e shtyu vajzën që të vishej si burrë.

Giovanna, sipas legjendës, ka qenë një vajzë me origjinë angleze por e lindur në Magonza të Italisë. Ajo mundi të bëhej prift nën emrin Johannes Anglicus dhe më vonë u shpall papë dhe mori emrin Giovanni VIII..

Por gjatë qeverisjes së Vatikanit, papesha nuk ju nënshtrua rregullave të rrepta, sipas së cilës priftërinjtë nuk duhet të bien pre e tundimeve seksuale.

Kështu Giovanna vazhdonte lidhjet normale me të dashurit e saj, por gjatë procesionit të Pashkëve, kur papa kthehet në Laterano, pas celebrimit të meshës në bazilikën Shën Pjetër, turma e njerëzve u mblodh rreth kalit të saj, që i frikësuar gati-gati shkaktoi një incident. Tronditja e shkaktuar e çoi papeshën drejt një lindjeje të parakohshme, dhe kështu sekreti i saj doli në shesh.  

Variantet për fundin e saj janë të ndryshëm. Një prej tyre thotë se pasi u zbulua, ajo u lidh nga këmbët me një kal që e tërhoqi zvarrë jashtë mureve të Selisë së Shenjtë. Ndërsa një variant tjetër është se Giovanna e lindi djalin e saj dhe më pas u mbyll në manastir.

Gjithnjë sipas legjendës Giovanna u pasua në postin e atit të shenjtë nga papa Benedikti i II-të, i cili mori masat që emri i paraardhësit të tij të fshihej nga regjistrat e kishës. Ai drejtoi Vatikanin për një periudhë të shkurtër nga viti 855 deri në 7 prill 858. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/