Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në Ankara ku është takuar me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan në Pallatin e Bardhë.

Pas takimit kokë më kokë, do të ketë dhe një konferencë për shtyp, ndërsa pritet që kryeministri grek të largohet nga ora 21:00 nga kryeqytetit turk. Në takim janë të pranishëm dhe dy ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Turqisë, Giorgos Gerapetritis dhe Hakan Fidan.

Pritet të nënshkruhen dy marrëveshje mes liderëve, e para ka të bëjë me menaxhimin e fatkeqësive dhe emergjencave, ndërsa e dyta me bashkëpunimin në fushën e Shëndetësisë dhe Shkencave Mjekësore.

Kryeministri Mitsotakis mbërriti në Ankara rreth orës 15:00 ku u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm Fidan dhe një delegacion i shtetit turk. Takimi mes dy liderëve ballkanik është për të ruajtur statusin e qetësisë mes dy popujve në këtë kohë turbullirash dhe luftrash.

Pritet që mes tyre të ketë edhe një darkë, ku i pranishëm do të jetë edhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Patriarkanës së Konstandinopojës, i cili pranoi ftesën e presidentit Erdogan.

Çështje që ka ngjallur shqetësim ditët e fundit në Greqi, ka qenë ajo e shndërrimit të Manastirit të Chorës në xhami nga shteti turk, vetëm pak ditë para ardhjes së Mitsotakis në Ankara dhe kjo është parë si shenjë provokimi nga mediat greke.