SHBA, 12 mars 2013 – Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë mes burrave dhe grave të moshës mbi 60 vjeçare, ndërkohë që njerëz të të gjitha moshave vdesin nga goditjet në zemër çdo vit. Dhe ndërsa shkalla e këtyre vdekjeve në Shtetet e Bashkuara dhe vende të Evropës Perëndimore ka rënë, këto vdekje po shtohen në vendet në zhvillim. Megjihatë shumica e sëmundjeve të zemrës mund të parandalohen. Ky është mesazhi që mjekët dhe grupe të ndryshme po u transmetojnë njerëzve kudo në botë: Ata mund të bëjnë një jetë më gjatë dhe më të shëndetshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se më shumë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje të zemrës se sa çdo sëmundje tjetër. OBSH-ja thotë se më shumë se 60 për qind e vdekjeve nga sëmundje kardiovaskulare ndodhin në vende me të ardhura të ulta dhe të mesme, madje shton se epidemia e sëmundjeve të zemrës është në rritje.
Dr. Patrice Desvigne-Nickens ((Day-VEEN)) e Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, thotë se treguesi i një shëndeti të mirë është të jesh në dijeni të rezultatit të analizave.
“Pesha, kolesteroli, niveli i sheqerit në gjak janë shifra të rëndësishëm që mund të ndihmojnë për të ndërmarrë masa dhe për të ulur rrezikun”.
Ajo thotë se një stil jetese i shëndetshëm mund të parandalojë sëmundjet e zemrës.
“Hapat që duhen ndërmarrë janë të thjeshtë: mos pi duhan, ruaj një nivel të shëndetshëm peshe, bë gjimnastikë, qëndro në dijeni të rezultatit të analizave dhe bisedo me mjekun dhe kontrollo këto rreziqe”, përfundon Dr. Patrice Desvigne-Nickens.





