Një moment mjaft emocionues dhe prekës ka qenë kur një 4-vjeçar, i cili kishte humbur në pyll, u shpëtua nga policia.

Ngjarja ka ndodhur në një pyll në New Jersey, ku i mituri kishte përfunduar me qenin e tij, pasi kishin dalë nga shtëpia.

Djali dhe qeni i tij kishin humbur rrugën dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në shtëpi. Sipas raportimit të policisë, nëna e tij dëgjonte tingujt e zërit të djalit, por nuk ishte në gjendje që ta gjente atë. Punonjësit e policisë dhe nëna e djalit filluan të ndiqnin tingujt e zërit të djalit të vogël dhe shumë shpejt arritën ta gjenin atë.

Pamjet e siguruara nga kamerat që janë të pajisura në veshjet e policëve tregojnë momentin kur policët po vraponin pasi panë djalin e frikësuar nga larg dhe e morën direkt në krahë. Në ato momente dëgjohet djali i vogël duke qarë dhe duke thënë se ka humbur këpucën e tij në pyll.

Policia e Shtetit të New Jersey ka postuar  videon që tregon shpëtimin emocionues dhe ka mbledhur mijëra shikime.