Prej disa ditësh kanë nisur punimet për rikonstruksionin e një godine 3 katëshe në zonën e plazhit të Durrësit, në rrugën “Pavarësia”.
Punëtorët e firmës kontraktuese po ndërhyjnë për rikonstruksionin e fasadës dhe po rehabilitojnë dëmtimet e shkaktuara nga amortizimi ndër vite dhe faktorët atmosferikë.
Shqetësimet e banorëve të kësaj godine, “DurrësLajm” i pati trajtuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur familja Xherahu na hapi dyert e apartamentit të tyre për të treguar amortizimin e tejskajshëm të tavaneve të dhomave, për shkak se çatia e godinës ishte dëmtuar ndjeshëm për shkak të efektit kohë.



Kristaq Prendi, tekniku i firmës “Colombo” sh.p.k. që po kryen ndërhyrjen në çati dhe fasadën e objektit thotë se punimet deri më tani kanë ecur sipas planifikimit dhe ndërhyrja në objekt pritet të përfundojë brenda 48 ditëve.
Ndërkohë, burime nga bashkia na bëjnë të ditur se krahas kësaj godine, punimet do të vijojnë edhe në zona të tjera të qytetit, duke i dhënë një pamje të re një sërë pallatesh.
Më konkretisht, ndërhyrjet e radhës do të jenë tek një godinë në lagjen nr.4 të qytetit dhe 3 pallate në lagjen nr.1.
Po sipas të njëjtave burime, ndërhyrjet po bëhen në kuadër të përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës urbane dhe estetikës së hapësirave publike.
“Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm rritjen e sigurisë dhe jetëgjatësisë së objekteve, por edhe përmirësimin e imazhit urban”,- shkruante në rrjete sociale pak ditë më parë, kryebashkiakja Emiriana Sako.
M.B.





