Prokuroria e Posaçme ka zbardhur akuzën për avokatin B.Koçi, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë së arrestit shtëpiak.

Ndaj avokatit është ngritur akuza për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi akuzohet se teksa ishte me detyrë auditues i KLSH-së i kërkoi 4000 euro shtetases me iniciale P. M., për të ndikuar tek gjyqtari, ndërsa ka përfituar prej saj një shumë prej 1000 euro.

Mësohet se në kohën e kryerjes së veprës penale kjo shtetase po gjykohej në Gjykatën e Tiranës për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”.

“Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar me detyrë  Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj”, njoftoi policia.

Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Tiranës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të  Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit P.M dhe B.K.

Shtetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë  Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.