TIRANË- Lihet i lirë pedagogu i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, Enver Qoku. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" ndaj ish-shefit të departamentit të Gjeologjisë në Universitetin e Kamzës, i cili akuzohet për ryshfet dhe mitmarrje.
Në sallën e gjyqit, 55- vjeçari nuk ka pranuar ato që ka thënë gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor. Madje, pala mbrojtëse ka argumentuar para trupit gjykues se seanca e marrjes në pyetje të pedagogut nuk duhet të merret si provë argumentuese nga trupi gjykues, pasi është seancë e paligjshme, sepsepyetjet janë bërë pa prezencën e avokatit. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokati i pedagogut ka kërkuar që në cilësinë e
provës të mos depozitohen as përgjimet e prokurorisë, pasi sipas përgjime që janë bërë pa autorizimin e gjykatës. Në argumentimin e tij, mbrojtja kërkoi që trupi gjykues të merrte parasysh gjendjen shëndetësore të ish-shefit të katedrës në Universitetin Bujqësor, tek i cili kohët e fundit janë shfaqur probleme shëndetësore, të cilat nuk mund t'i kurojë në qelinë e burgut.
Përveç kësaj, avokati kërkoi që gjykata në vendimin e saj t'u referohet edhe gradave shkencore të pedagogut Enver Qoku. Ky i fundit, u arrestua pak ditë më parë në kushtet e flagrancës, teksa ishte duke i kthyer studentit shumën prej 100 mijë lekësh të vjetra. Qoku akuzohet se u merrte studentëve shuma parash për t'i kaluar në provimet e vjeshtës.