·       Koment nga Beogradi i agjencisë telegrafike ruse REGNUM: “Gjermania dhe SHBA ndajnë byrekun kosovar”. Gjermania prej kohësh po përpiqet të marrë plotësisht nën kontroll Ballkanin

·       Në Kosovë ka shumë minerale, sidomos qymyrguri – 15 miliardë tonë. Vendburimet e linjitit kaq të rëndësishme për energjetikën mund të shfrytëzohen për 200 vjet

·       Nëse vjen sinjal nga Tirana dhe Prishtina, atëherë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, ku shqiptarët janë shumë më tepër se serbët, do të interpretohet “skenari kosovar” dhe një tjetër pjesë të madhe e jugut të Serbisë do të ikë nga vartësia në Beograd një herë e përgjithmonë”. Pra, "kartë atu" e Frau Merkelit është e mjaftueshme

·       Magnatët e financave janë njerëz seriozë. Nëse ata ia besuan pushtetin Merkelit, atëherë, duke njohur “karakterin e hekurt” të saj, e kuptojnë se turi në Ballkan duhet të kurorëzohet me sukses. Në Berlin janë të sigurt për këtë gjë”.

DURRËS, 6 korrik 2015 –  Turi ballanik i Kancelares gjermane Angela Merkel ka ngjallur shqetësim në mediet ruse, sikurse e titullon komentin e Konstatin Kachalin, korrespodentit të saj në Beograd, më 6 korrik 2015, agjencia informative REGNUM me titullin “Gjermania dhe SHBA ndajnë byrekun kosovar”.

LUFTA PËR LINJITIN

Sipas REGNUM-it, “Gjermania prej kohësh po përpiqet të marrë plotësisht nën kontroll Ballkanin. Nëse me ndikimin financiar të Berlinit në rajon çdo gjë është plotësisht në rregull, me ndikimin politik çështjet papritmas kanë nisur të ngecin. Hë për hë është e pamundur për t’u marrë me Serbinë. Kjo e fundit nuk dëshiron aspak të japë Kosovën”. Rusët insinuojnë se territorin e Kosovës “e kolonizuan në vitin 1999 gjermanët dhe amerikanët”. Fantazia e Moskës arrin deri atje sa të shkruajë se “Berlini i kushton vëmendje të veçantë të “paprekshmit” Hashim Thaçi dhe klanit të tij. Është e qartë, në Kosovë ka shumë minerale, sidomos qymyrguri – 15 miliardë tonë. Vendburimet e linjitit kaq të rëndësishme për energjetikën mund të shfrytëzohen për 200 vjet. Për gjermanët ky është një “Klondajk” (Klondike, simboli i vendi të arit në Kanada-“Dyrrah”) i vërtetë, prandaj po bëjnë çmos që Prishtina të marrë përgjithmonë atë që ligjërisht i takon Serbisë”.

SHPEJT KOSOVA PËR GJERMANËT MUND TË JETË PJESA MË E RËNDËSISHME E BALLKANIT

Komenti i REGNUM-it thotë se “për burimet e lëndëve të para po bëhet një luftë e vërtetë në Evropë. Korporatat e mëdha të RFGJ-së janë të gatshme të mbështesin politikanët më famëkeq kosovarë dhe t’i sjellin në pushtet. E rëndësishme që në 50 vitet e ardhshme të mos ketë kurrfarë problemesh me energjetikën. Në vend të centraleve bërthamore dhe atyre me gaz, të cilat gradualisht do të mbyllen, në të ardhmen duhet të vijnë TEC-et me qymyr. Në të ardhmen e afërt Kosova për gjermanët mund të jetë pjesa më e rëndësishme e Ballkanit. U duhet të bëjnë gjithçka të detyrojnë Beogradin të heqë dorë njëherë e mirë nga Kosova. T’i premtojnë pranim sa më të shpejtë në BE dhe NATO, kredi pa interes dhe të tjera mashtrime tërheqëse. Prandaj vendosi Angela Merkel të bëjë një tur në rajon. Më 8 korrik ajo fluturon në Tiranë. Udhëheqja shqiptare është e lidhur ngushtë me Prishtinën dhe nëse është e nevojshme, do të zbatojë çdo porosi politike të kancelares gjermane”.

BERLINI MUND TË URDHËROJË TIRANËN TË TREMBË BEOGRADIN ME TRAZIRA NË PRESHEVË

Kremlini nuk heq dorë nga sulmet ndaj qeverisë shqiptare: “Berlini mund të kërkojë ose të urdhërojë Tiranën të ringjallë sërish projektin “Shqipëria e Madhe” dhe të fillojë të trembë Beogradin me trazira në jug të vendit. Atje janë të gatshëm për të luftuar kundër policisë dhe forcave speciale. Nëse vjen sinjal nga Tirana dhe Prishtina, atëherë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, ku shqiptarët janë shumë më tepër se serbët, do të interpretohet “skenari kosovar” dhe një tjetër pjesë të madhe e jugut të Serbisë do të ikë nga vartësia në Beograd një herë e përgjithmonë”. Pra, "kartë atu" e Frau Merkelit është e mjaftueshme”.

PARIMI “RFGJ-RDGJ”

Fantazia e komentuesit rus shkon dhe më tej: “Pas “përpunimit” të elitës politike të Tiranës Kancelarja gjermane do të shkojë në Beograd. Tandemi Merkel-Obama ka kohë që po punon së bashku dhe koordinon veprimet e veta politike. Liderët serbë – Presidenti Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandër Vuçiç – po përpiqen të gjejnë një kompromis të arsyeshëm në “çështjen kosovare”. Gjithsesi, me çfarë të mundin, ata mbrojnë interesat e pakicës serbe në Kosovë. Angjelina Merkel, sikurse ndodhi gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd në vitin 2011, mund të “rregullojë” zgjedhje të parakohshme dhe të parlamentit dhe të presidentit. Atëherë Boris Tadiçi nuk i ka lëshoi pe Gjermanisë, dhe pastaj u privua nga detyra e presidentit. Atij iu propozua të ndërtonte marrëdhëniet me Kosovën sipas parimit “RFGJ-RDGJ” (Republika Federale e Gjermanisë – Republikës Demokratike Gjermane). Merkeli këmbënguli që Beogradi të njihte pushtetin zyrtar në Prishtinë. Tadiç nuk u tërhoq”.

NJË PARALAJMËRIM

Agjencia REGNUM parashikon: “Nuk përjashtohet që udhëheqjes aktuale të Serbisë do t’i japin kohë për reflektim, por vetëm deri në vjeshtë. Nëse nuk do të nënshkruhet marrëveshje me Prishtinën, atëherë Berlini dhe Brukseli “do t’i mbyllin hermetikisht derën” dhe Serbia kurrë nuk do mundet të hyjë Bashkimin Evropian. Kohët e fundit Merkel-i në fjalimin e saj të përjavshëm televiziv lavdëroi anëtaret ballkanike të BE-së – Slloveninë dhe Kroacinë. Dhe pastaj ai e bëri të qartë se Beogradi ka një shans: “Sigurisht, ka progres në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat u zhvilluan kohët e fundit në Bruksel. Por ende shumë probleme të mëdha. Ato duhet të zgjidhen dhe të zgjidhen sa më shpejt”. Një paralajmërim jo i keq para fillimit të vizitës zyrtare të kancelares gjermane në kryeqytetin serb”.

“NUK NA DUHEN USHTARË, QË MBROJNË LUFTËTARËT E DJESHËM”

Moska ka qëmtuar dhe ndonjë deklaratë opozite të majtë të parëndësishme: “Natyrisht, një presion i tillë i Angela Merkelit jo të gjithëve u vjen pas midesë dhe në vetë Gjermaninë. Atë e kritikon opozita, përfshirë edhe deputetët e Partisë së Majtë (die Linkspartei). Kohët e fundit deputetja [turke-gjermane] Sevim Dağdelen akuzoi haptazi Unionin Kristian-Demokrat të Gjermanisë për faktin se pushteti në Kosovë është i përbërë tërësisht nga ish-luftëtarë të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Këtë pushtet, sipas përfaqësuesve të Partisë së Majtë, e mbrojnë ushtarët dhe tanket gjermane, që ndodhen në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it që nga viti 1999. Gjatë kësaj kohe, nga vendi janë dëbuar qindra mijëra serbë dhe romë. “Bundesveri [Bundeswehr – ushtria gjermane] në Kosovë dhe politika e Gjermanisë shkelin të drejtën ndërkombëtare, politikanët tanë nuk respektojnë parimet e neutralitetit në Kosovë. Ne nuk na duhen ushtarë, që mbrojnë luftëtarët e djeshëm”, – nënvizoi Dağdelen-i”.

NË BERLIN JANË TË SIGURT PËR SUKSESIN E TURIT

Gjithsesi, vërehet një ton dëshpërimi të media ruse: “Në vitin 2008 në BE jo të gjithë e njohën shtetin e ri të Kosovës. Midis tyre, Qiproja, Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia. Në Bruksel prej kohësh nuk ka dakordësi të plotë mbi “temën kosovare”, por, duke gjykuar nga çdo gjë, Gjermaninë dhe SHBA-në kjo gjë nuk i shqetëson. Ata tashmë e kanë përcaktuar se Ballkani është një koloni, në të cilën mund të drejtohet me rregullat e veta. Nëse dikush nuk është i kënaqur, ju lutemi, kritikoni. Por jo më shumë. Kryesorja tani është legalizimi sa më i shpejtë i pushtimit të Kosovës dhe mbajtja në pushtet e Thaçit dhe ekipit të tij. Pastaj mund të ndahet “byreku kosovar me yndyrë” sipas rregullave të SHBA-së dhe Gjermanisë. Koha nuk pret, të mos humbasë kurrsesi fitimi. Magnatët e financave janë njerëz seriozë. Nëse ata ia besuan pushtetin Merkelit, atëherë, duke njohur “karakterin e hekurt” të saj, e kuptojnë se turi në Ballkan duhet të kurorëzohet me sukses. Në Berlin janë të sigurt për këtë gjë”.

 

 

 

/red. e jashtme agjencia e lajmeve “Dyrrah”/