Motra e të ndjerit Azem Hajdari, Heroit të Demokracisë, ka bërë një rrëfim të rrallë për jetën e tij në “Gazeta Shqiptare”, që nga fëmijëria, rinia e deri në vitet e tij në politikë, rreziqet që i kanoseshin.
Ndër të tjera, Nurie Hajdari tregon edhe se si Azemi u dashurua me Fatmirën dhe e rrëmbeu në atë kohë.
“Ata ishin fare të vegjël kur u dashuruan. Ishin nxënës në shkollën e mesme në Tiranë. Sapo janë njohur, më tregoi Azemi. Më mori tek konvikti i Fatmirës që të më njihte me të. Sapo ajo doli, më tha: “Motër e dashur, kjo është gruaja e jetës sime.”
Azemi e ka rrëmbyer Fatmirën dhe atë e solli në Bajram Curri me djalin e xhaxhait tonë, ndërkohë që vetë erdhi më vonë nga Tirana në shtëpi. Familja dyshoi fillimisht se mos Azemi e ka marrë pa dëshirën e saj dhe u trembën disi, por kur folëm me Fatmirën, gjithçka ishte në rregull. Në qytet u hap fjalë se Azemi ka rrëmbyer një vajzë të mitur dhe kjo ishte e ndaluar në atë kohë. Babanë e thirrën në Degën e Brendshme për të sqaruar situatën dhe ne u detyruam të thërrisnim dhe të atin e Fatmirës nga Librazhdi për të pohuar se vajza e ka dashur vetë që të martohej me Azemin pavarësisht se as familja e saj nuk kishte dijeni për ikjen nga shkolla. Në degën e Brendshme na thanë se nëse Azemi e ka rrëmbyer vajzën, do ta çojmë në internim, pasi ka konsumuar një krim.
Ndaj na u desh që të mblidheshim të gjithë kur erdhi Azemi dhe i ati I Fatmirës dhe t’u thoshim në komisariat se ata duhen dhe janë bashkuar me pëlqimin e tyre. Fatmirën e pyetën dhe në shtëpi nëse ishte dëshira e saj dhe ajo u përgjigj: Unë kam ardhur që të jetoj dhe të vdes me Azemin”.





