Ndeshja e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, është karakterizuar nga dy momente pikante ku ka pasur nevojë për ndërhyrjen e moviolës. Fillimisht ishte momenti i ndëshkimit me karton të kuq i Dediçit dhe në fundin e ndeshjes, pretendimi i vendësve për 11-metërsh ndaj Nijaz Lenës.

– Në minutën e 57-të, Arrabal shkakton faull ndaj Dediçit, me një mbajte nga pas për shumë sekonda. Mirëpo, kryesori i takimit gabon duke mos e sinjalizuar këtë veprim të tijin dhe më pas Dediç bën një gjest antisportiv. Në këtë moment, kartoni i kuq i akorduar nga Hamiti është i padiskutueshëm.

–Në minutën e 57-të, Teuta pretendon prekje të topit me dorë, në momentin kur Sykaj godet me kokë në qendër të zonës dhe sfera përplaset në trupin e Nezirit. Pretendohet për prekje me dorë. Në këtë moment, pamja nuk është e qartë nëse sfera i ka rënë në dorë, por nga sa vihet re, duket më së shumti se ka qenë një përplasje e sferës në sup dhe më së shumti, kryesori ka vepruar drejt.

– 75′ Mungon një penallti për Teutën. Lena është brenda zonës dhe ndaj tij shkaktohet dy herë faull në të njëjtin aksion. Fillimisht është Plaku që i pengon lëvizjen kapitenit të Teutës dhe së dyti është Idrizaj që e pengon me këmbë duke mos u interesuar aspak për topin. Kryesori është fare pranë aksionit dhe ka plotësisht pamje të qartë, por nuk akordon 11-metërsh.