Një foshnjë gjashtëmuajshe është nxjerrë gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Cali të Kolumbisë, në një prej momenteve më prekëse pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi vendin mëngjesin e së hënës, më 10 gusht.
Pamjet e shpëtimit, të publikuara në rrjetet sociale, janë bërë virale dhe kanë sjellë një shkëndijë shprese mes skenave të shkatërrimit të shkaktuara nga tërmeti.
Ekipet e kërkim-shpëtimit ndodheshin në një prej ndërtesave të shembura në Cali, kur gjatë operacionit konstatuan shenja jete nën rrënoja. Pas ndërhyrjes, shpëtimtarët arritën të nxirrnin foshnjën të gjallë.
Nën rrënoja ndodhej edhe nëna e foshnjës, e cila, sipas raportimeve, ishte përpjekur ta mbronte fëmijën e saj në momentin kur ndërtesa u shemb.
Por ndërsa lajmi për shpëtimin e foshnjës solli emocion në të gjithë vendin, situata mbetet dramatike në Cali, ku disa ndërtesa kanë pësuar dëmtime të rënda.
Një prej rasteve më të rënda është ai i Spitalit Universitar të qytetit, ku u shembën pjesë të disa kateve të sipërme, duke prekur edhe repartin e Pediatrisë.
Sipas drejtorit të spitalit, Irne Torres Castro, rreth 30% e infrastrukturës së institucionit është dëmtuar nga tërmeti. Dëmet përfshijnë tre kate ku ndodheshin Pediatria, Mjekësia e Brendshme dhe një pjesë e Njësisë së të sapolindurve.
Të paktën katër persona janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa pacientë të tjerë janë evakuuar dhe transferuar në spitale të tjera.





