Thellohet bilanci i viktimave të koronavirusit në vendin tonë. Nga të dhënat e MSH-së, në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: Një 43-vjeçar nga Kamza, pa semundje të tjera, i intubuar dhe në gjendje të rëndë prej disa ditësh nuk ka mundur të mbijetojë megjithe perpjekjet e mëdha të stafit mjekësor.
E kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm edhe një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64-vjeçar nga Durrësi në Spitalin Infektiv dhe një 61-vjeçar nga Tirana në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 102 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, nga 1 rast në Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 50 qytetarë, duke e çuar në 2264 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.
Rikujtojmë qytetarët se:
Vendosja e maskës në ambientet e mbyllura është e detyrueshme.
Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.
Moszbatimi i kësaj mase është e dënueshme sipas aktit normativ, me masë administrative në shumën 2 mijë lekë të reja për çdo qytetar.
Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje të respektoni vetëizolimin kur jeni të prekur nga COVID19.
COVID-19 – Statistika (18 Korrik 2020)
- Testime totale 35107
- Raste pozitive 4008
- Raste të shëruara 2264
- Raste Aktive 1631
- Humbje jete 111 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 18, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
- Tiranë 774
- Durrës 207
- Shkodër 193
- Vlorë 102
- Lezhë 85
- Kukës 50
- Korçë 53
- Berat 38
- Elbasan 46
- Fier 38
- Gjirokastër 21
- Dibër 24