Tirana u trondit mesditën e djeshme nga një krim makabër, ku Dan Hutra vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera.

Të vrara mbetën motra e ish-gruas dhe nusja e vëllait të saj, Mevlude Hysa e Hasime Dafku, dhe të plagosura ish-bashkëshortja e nëna e saj, Elena e Kujtime Hysa.

Në lidhje me këtë ngjarje fqinji i familjes Hysa (ish-partneres së autorit) ka deklaruar se janë dëgjuar 5-6 të shtëna. Më pas kur ka dalë jashtë ka parë që dy të plagosurat janë dërguar me urgjencë në spital.

Dëgjova 5 a 6 të shtëna mendova se ishin fishekzjarrë. Kush e mendonte se ishin armë në mes të ditës. Kur dola pashë masakër. Dy të plagosurat i çuan urgjent në spital. Ai mund të na kishte vrarë dhe ne. Është e tmerrshme”, u shpreh ai.

Ndërkohë në shtëpinë e Etleva Kurti, e cila po ashtu mbeti e vrarë, nuk ka më asnjë njeri.

Në pamjet e siguruara nga gazetarja TCH, shihet banesa, tashmë e boshatisur, në të cilën jetonte vetëm me të ëmën 31-vjeçarja, pas largimit të burrave të shtëpisë.

Ata janë larguar jashtë vendit pasi i druheshin hakmarrjes, pas dënimit të vëllait të viktimës. Varrimi i Etleva Kurtit do të bëhet në Burrel, në vendlindjen e saj.

Policia dyshon se pas këtij krimi mund të jetë Dan Hutra për shkak të konflikteve që kishte me vëllanë e viktimës Vladimit Kurti në burg ku ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për grabitje me pasojë vdekjen.

Sipas dëshmitarëve një automjet i zi ka përshkruar rrugën “Beslidhja” në Kamëz dhe është pozicionuar buzë banesës së Etleva Kurtit dhe ka qëlluar drejt saj 3 herë duke e lënë të vdekur në vend 31-vjeçaren e cila ndodhej në oborr. Në ikje autor ka hedhur në vendngjarje armën e krimit.