Akademiku Artan Fuga ka reaguar sot në lidhje me muzikën e krijuar nga lokalet e natës në qytetin e Vlorës, duke argumentuar se shkaku i vërtetë i shqetësimit të banorëve është modelimi i asaj pjese të qytetit ku bashkohen ndërtimet gjigante, pra familjarë që janë banorë qyteti dhe nuk ja kanë ngenë zhurmave.

“Muzika për dikë është zhurmë ndërsa për dikë tjetër është argëtim, ndaj nuk është muzika problemi”, thotë Fuga përmes një shënimi në rrjetet sociale.

Ditën e djeshme Rama dhe më pas Komiteti Teknik i Ekspertëve thanë se duke filluar nga sot (20 korrik) muzika do të lejohet deri në orën 23:00, nga ora 22:00 që ishte më parë.

Megjithatë ata nuk janë të kënaqur dhe kërkojnë që të zgjatet më shumë deri në 00:00 ose 01:00, pasi pa muzikë po iu largohen klientët.

Shënimi i Artan Fugës:

Muzika e Lungo Mares në Vlorë

Nuk është fare se muzika është e keqe. Kush e ka të drejtën e përcaktimit se kush është muzikë e mirë apo e keqe?

Gëzimi është gjithmonë i zhurmshëm!

Nuk është fare se ka ndotje akustike! Ajo që ti e quan zhurmë, për festuesit brenda lokaleve është një ritëm gjallërues, një ekstazë.

Nuk është fare te Covid 19 dhe nuk zgjidhet me polici ajo që është krijuar si kaos.

Fut në burg njerëz sepse kryejnë profesionin e tyre si pronarë lokalesh, kjo është prapësi.

Po atëhere si?

Si?

Shkaku është Modelimi i keq i asaj pjese të qytetit, ku bashkohen ndërtimet gjigande, pra familjarë që janë banorë qyteti dhe nuk ja kanë ngenë zhurmave.

Shëtitorja që grish për shëtitje të qeta.

Lokalet, tavernat, pubet që doemos duan muzikë, madje të fortë, sa t’a hajë krahu!

Secili ka të drejtën e tij, puna është se modelimi i gabuar urban i ka vendosur këto tre realitete sociale cip mbi cip në të njejtin vend ndërkohë që ato nuk mund të bashkëjetojnë. Askund nuk bashkëjetojnë!

Bashkia dhe pushteti qendror pasi e krijuan problemin duke vendosur në një pikë dhe hapësirë urbane realitete të papajtueshëm, tani ndërhyjnë për të zgjidh konfliktet që kanë krijuar vetë.

Politikat urbane krijojnë tensione, policia i zgjidh me dhunë!

Ja rrënja e problemit. Mbishfrytëzimi i hapësirës urbane për qëllime mbifitimi dhe politikat e gabuara urbane, përtej një estetizmi gjigandoman, që sjellin probleme të pazgjidhëshme dhe që në fund bien mbi banorët e qytetit, mbi pushuesit, mbi festuesit dhe mbi pronarët e lokaleve.

Në vend të planifikimit racional urban, i vetmi kriter mbishfrytëzimi i hapësirës urbane. Kështu ndodh edhe për probleme të tjera!

Bashko në një varkë ujkun, qingjin dhe lakrën dhe pastaj ëndërro se në varkë do ketë paqe dhe mirëkuptim!